Ambasadori i BE-së apel politikës: Nisni me urgjencë dialogun për të rivendosur funksionimin normal të Parlamentit, është kusht bazë!
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, i bën thirrje politikës shqiptare për të nisur me urgjencë dialogun për të rivendosur funksionimin normal të Parlamentit.
Në një postim në “X” ai shkruan se ky është kushti bazë i për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
“Sot kam qenë dëshmitar sesi politikanët shqiptarë nga parti të ndryshme politike u angazhuan në diskutime dhe debate lidhur me rolin e Kuvendit në procesin e negociatave me BE-në. Me urgjencë, diskutime të ngjashme duhet të nisin në Kuvend për të rivendosur funksionimin normal të tij.
Ky është një nga kushtet bazë për anëtarësimin e vendeve në BE. Ne punojmë së bashku për të ndihmuar parlamentin të luajë rolin e tij të plotë në anëtarësimin në BE si një institucion transparent dhe efektiv në shërbim të qytetarëve shqiptarë”, shkruan ai në “X”.