Ndihma për Ukrainën, bisedime të tensionuara në Shtëpinë e Bardhë!
Ndihma amerikane për Ukrainën dhe çështja e buxhetit në Shtetet e Bashkuara, bisedime të tensionuara mes presidentit Joe Biden dhe udhëheqësve të Kongresit. Mësohet se shefi i Shtëpisë së Bardhë iu bëri thirrje të miratojnë një projektligj për sigurinë kombëtare, i cili përfshinë ndihma për Ukrainën dhe Izraelin. Po ashtu do të shmangte një mbyllje të pjessshme të qeverisë.
Para takimit me drejtuesit e republikanëve e të demokratëve në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, Chuck Schumer, Mitch McConnell, Mike Johnson dhe Hakeem Jeffries, Biden u shpreh:
Unë mendoj se pasojat e mosveprimit janë të tmerrshme për Ukrainën. Unë mendoj se është përgjegjësi e Kongresit të miratojë buxhetin. Ne duhet ta bëjmë këtë. Një mbyllje e qeverisë do të dëmtonte rëndë ekonominë dhe mendoj se ne të gjithë jemi dakord për këtë. Dhe ne kemi nevojë për zgjidhje dypartiake.
Më pas, senatori Schumer tregoi se diskutimet mbi ndihmat për Ukrainën ishin të tensionuara.
Takimi për Ukrainën ishte një nga takimet më tensionuara që kam përjetuar ndonjëherë në shumë takime, që unë kam marrë pjesë në Shtëpinë e Bardhë. Mosmbështetja e Ukrainës do t’u jepte një sinjal aleatëve se ata nuk mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Senati i udhëhequr nga demokratët miratoi një projekt-ligj dypartiak për sigurinë kombëtare në fillim të këtij muaji që përfshinë 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën, 14 miliardë dollarë për Izraelin, gati 5 miliardë dollarë për të mbështetur partnerët në rajonin e Indo-Paqësorit, përfshirë Tajvanin, si dhe ndihma të tjera.
Shtëpia e Bardhë ka shpenzuar pjesën më të madhe të këtij viti duke i bërë thirrje Kongresit të miratojë projektligjin dhe disa zyrtarë të administratës amerikane kanë theksuar se nuk ka asnjë plan rezervë për të ndihmuar Ukrainën, në rast të mosmiratimit të projektligjit. John Kirby, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë për Çështjet e Sigurisë Kombëtare deklaroi:
Ne kemi nevojë për miratimin e projektligjit tani. Ne tashmë jemi në një farë mënyre, shumë vonë. Ata humbën qytetin e Avdivkës për shkak të mungesës së municioneve. Pra, në disa mënyra, tashmë ka një efekt dramatik.
Johnson është zotuar se nuk do ta hedhë projektligjin për votim në Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se populli amerikan dëshiron që ligjvënësit të përqëndrohen në problemet e brendshme, përfshirë sigurinë kufitare, në vend që të dërgojnë ndihmë jashtë vendit.
Pas bisedimeve në grup, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson zhvilloi një takim të shkurtër privat me presidentin Biden. Më pas, nuk dha sinjal se do të lëvizte drejt hedhjes për votim të projektligjit mbi ndihmat për Ukrainën dhe Izraelin. Por, shtoi se Kongresi ka punuar me “mirëbesim” dhe “pa pushim” çdo ditë të javës dhe me muaj për të “mbaruar punën”.
Përparësia e parë e vendit është siguria e kufijve tanë. Unë besoj se presidenti mund të përdorë autoritetin ekzekutiv që tani, që sot, për ta ndryshuar këtë. Dhe këtë ia thashë sërish sot personalisht, siç i kam thënë shumë herë, publikisht dhe privatisht gjatë disa javëve të fundit. Eshtë koha për veprim. Eshtë një gjendje e rëndë, që duhet të zgjidhet dhe ne do të financojmë qeverinë dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë.
Shtëpia e Bardhë theksoi se kërkesat e Johnson-it për kufirin janë të paqarta. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre:
Unë mendoj se ai vetë nuk di se çfarë dëshiron. Dhe unë e them këtë me seriozitet të madh.
Udhëheqësit e Kongresit kanë kohë deri të premten për të rënë dakord mbi buxhetin e një pjese të qeverisë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, transportit dhe disa shërbime të veteranëve të luftës. Afati për të miratuar buxhetin për pjesën tjetër të qeverisë është një javë më vonë.