Pas Ukrainës, Rama drejton nesër një tjetër samit me Komisionerin e BE Varhelyi. Zbardhet agjenda!
Nesër do të zhvillohet në Tiranë Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Në samit do të jetë i pranishëm Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore.
-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian.
-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
-Përshpejtimi i reformave themelore
-Rritja e ndihmës financiare
BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.
Agjenda 29 shkurt
09:30 DOORSTEP, MBËRRITJA E LIDERËVE (Pallati i Kongreseve)
09:45 FJALËT HAPËSE KRYEMINISTRI RAMA – KOMISIONERI VARHELYI
10:45 FOTO FAMILJARE
12:00 FIRMOSJA E MARRËVESHJES
12:30 KONFERENCË PËR SHTYP