Amerika po shqyrton mundësinë e hedhjes së ndihmave nga ajri në Gaza!

vovalbania February 29, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Amerika po shqyrton mundësinë e hedhjes së ndihmave nga ajri në Gaza!

Administrata e presidentit Joe Biden, po shqyrton mundësinë që me avionë ushtarakë amerikanë të hidhen ndihma në Gaza, pasi dërgesat tokësore po bëhen gjithnjë e më të vështira. Kështu tha një zyrtar amerikan.

Ofensiva në Gaza e ushtrisë izraelite kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, tashmë ka rrafshuar shumicën e enklavës mjaft të populluar duke vrarë rreth 30 mijë persona dhe duke detyruar pothuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milion banorësh që të zhvendoset. Lufta ka shkaktuar krizë humanitare, teksa shumë njerëz përballen me urinë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, volumi i ndihmës humanitare që ka hyrë në Gaza në muajin shkurt është përgjysmuar ndjeshëm krahasuar me janarin.

Të paktën 576 mijë persona në Rripin e Gazës apo një e katërta e popullsisë, janë në prag të urisë. Kështu njoftoi Zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare e OKB-së. Kjo zyrë theksoi se grupet e ndihmës po përballen “me pengesa të mëdha, vetëm për të dërguar minimumin e furnizimeve në Gaza”.

OKB-ja shtoi se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës, vuan nga kequshqyerja akute dhe praktikisht, të gjithë banorët në enklavën palestineze varen nga ndihmat ushqimore për të mbijetuar, por që “mjerisht nuk janë të mjaftueshme”.

Zv.ambasadori i SHBA-ve në Izrael, Jonathan Miller, i cili ishte i pari që të martën përmendi mundësinë e dërgimit të ndihmave nga ajri, citoi disa zyrtarë amerikanë të cilët kanë thënë se ndihmat e dërguara në këtë mënyrë do të kenë efekt të kufizuar pasi avionët mund të hedhin ndihma në sasi që janë të barasvlershme me ndihmat që mund të transportohen nga një apo dy kamionë.

Përveç SHBA-ve, edhe Kanadaja ka deklaruar se po punon për të dërguar ndihmë humanitare nga ajri. Në këtë mënyrë, ndihma humanitare në Gaza janë dërguar vetëm nga ushtria jordaneze, në bashkëpunim me Francën.

Lufta në Gaza nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe rrëmbyer afro 250 të tjerë. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me ofensiva të ashpra ajrore e tokësore. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdimisht ka përsëritur se do të luftojë në Gaza deri në një “fitore absolute”, që siç ka thënë ai, “nënkupton shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe udhëheqëse të Hamasit”, grupit që kontrollon Gazën.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65818 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE