Serbia nuk mbështeti deklaratën e BE-së për Navalny-n, Vuçiç: Nuk është tragjedi e madhe!
Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se nuk ishte në dijeni rreth faktit që Serbia nuk ka mbështetur deklaratën e Bashkimit Europian, përmes së cilës, përgjegjësia për vdekjen e opozitarit rus, Alexei Navalny, iu atribua presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Deri tani, ne nuk kemi rënë dakord për të tilla çështje dhe në këto çaste, unë nuk mund t’ju tregoj për këtë rast, sepse nuk e di. Por, di të them se do të isha i befasuar nëse tani do të ishte ndryshe.
Këto komente, presidenti Aleksander Vuçiç i bëri teksa iu përgjigj gazetarëve në Tiranë, ku sot ai mori pjesë në samitin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Vuçiç theksoi se nuk mendon që mosmbështetja e deklaratës së Unionit është “një tragjedi e madhe”.
Mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia të bëjë llogaritë me kujdes dhe të vlerësojë në mënyrë të pavarur këtë rast.
Serbia nuk e mbështeti deklaratën e përbashkët të Bashkimit Europian lidhur me vdekjen e politikanit opozitar rus, Alexei Navalny. Në emër të BE-së, atë e paraqiti Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell. Vendet jo anëtare të Unionit kishin afat deri më 28 shkurt që t’i bashkoheshin deklaratës ku presidenti Putin cilësohet direkt përgjegjës për vdekjen në burg të Navalny-t. Me tekstin nuk ra dakord as Turqia.
Burime zyrtare në Bruksel konfirmuan se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor mbështetën deklaratën e bllokut europian, përmes së cilës presidenti rus, Vladimir Putin, mbahet direkt përgjegjës për vdekjen e kritikut të Kremlinit, i cili ndërroi jetë në një burg të Arktikut, më 16 shkurt.
Kujtojmë se edhe në të kaluarën, Serbia nuk i ka përshtatur qëndrimet me Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, sidomos me çështjet që kanë të bëjnë me Rusinë, me të cilën ka lidhje. Beogradi zyrtar ka vepruar kështu, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Europian, që çdo shtet kandidat, i cili synon integrimin në bllok, të përshtatet me deklaratat dhe qëndrimet e Unionit. Serbia ka vazhduar t’i injorojë këto thirrje.
Po ashtu, shteti serb nuk iu është bashkuar sanksioneve të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës dhe që vijon prej mbi dy vitesh. Alexei Navalny njihej në botë si një kritik i ashpër i Kremlinit. Ai mbahej në një burg në Arktik pasi po vuante një dënim të gjatë nën akuza për ekstremizëm. Familja e tij, bashkëpunëtorët, si dhe shumë qeveri perëndimore kanë fajësuar drejtpërdrejt Putinin për vdekjen e politikanit.
Kritiku i ndjerë i Kremlinit, Aleksei Navalni do të varroset nesër në Moskë. Ai do të prehet në varrezën Borisovskoye, pas një ceremonie lamtumire në distriktin Marjino. Vite më parë, rasti i Navalny-t mori sërish vëmendje në mbarë globin pasi pati një përpjekje për ta vrarë duke e helmuar me një agjent nervor. Në gjendje tepër të rëndë shëndetësore, Navalny u dërgua për kurim në Gjermani dhe u kurua me sukses. Pasi la spitalin, ai sërish zgjodhi të kthehej në Rusi ku menjëherë u arrestua dhe u dërgua në burg.