Mbi 100 të arrestuar për pjesëmarrje në homazhet për Navalny-n!
Të paktën 120 persona u arrestuan në Rusi me arsyen e vetme se dje morën pjesë në funeralin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili po prehet në Moskë, pas vdekjes së dyshimtë në një burg të Arktikut, më 16 shkurt.
Navalny-t iu dha lamtumira e fundit në varrezat që gjenden pranë shtëpisë ku është rritur në Moskë, ndërsa qindra mijëra mbështetës rrezikuan të përballen me autoritetet kur shkuan për t’i bërë homazhe dhe prisnin jashtë kishës ku u kryen ritet fetare të ceremonisë mortore. Familjarët dhe bashkëpunëtorët e ngushtë u lejuan të hynin brenda kishës.
Forcat policore ishin në çdo cep të rrugëve të Rusisë dhe ndonëse nuk pati raportime për incidente, më shumë se 120 persona u ndaluan më vonë në Moskë, Shën Pjetërburg, Novisibirsk, Jetakerinburg dhe qytete të tjera, pasi morën pjesë në organizimet për të kujtuar Navalny-n.
Organizata për të Drejtat e Njeriut “First Department”, raportoi se në gjykatat në katër rajone ruse, emri i Aleksei Navalny-t është konsideruar “simbol ekstremist”. Në rrjetet sociale kanë qarkullaur foto nga ceremonia në kishë, ku ishin ndaluar kamerat.
Prindërit qëndronin pranë arkivolit me trupin e ekspozuar deri në pjesën e kraharorit, që pjesëmarrësit të mund ta shihnin për herë të fundit. Shumë njerëz vunë lule në makinën e agjencisë së funeralit dhe disa thërritën: “Jo luftës”, “Putin është vrasës” dhe “Nuk do të të harrojmë”.
Në ceremoninë në kishë morën pjesë edhe shumë diplomatë perëndimorë të angazhuar në Moskë. Përmes një postimi në Telegram, Ambasada amerikane në Moskë, shkroi:
Puna e Aleksei Navalny-t shpërfaqi vizionin e një ardhmeje më të mirë për Rusinë dhe gjithë rusët. Në fund, ai dha jetën për shërbimin patriotik. Për shumë rusë, është simbol i asaj që mundet dhe duhet të jetë Rusia.
Gruaja e tij Yulia, e cila jeton jashtë Rusisë, për arsye të sigurisë, nuk mori pjesë në ceremoninë e varrimit. Por, më vonë publikoi një video shumë emocionuese, duke kujtuar momentet më të mira me Aleksein.
Nuk di si të jetoj pa ty, por do të tentoj të bëj më të mirën për të të bërë të lumtur dhe krenar për mua. Nuk e di a do të mundem, por do të tentoj. Do të vazhdoj vizionin e tij për demokraci dhe liri në Rusi.