Kënga e tij bëri banorët që të emocionoheshin, Stivi Ushe shpreh dëshirën për t’u bërë pjesë e BBV!
I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë këngëtari i njohur e shumë i talentuar Stivi Ushe. Ai ka folur më shumë mbi projektin e tij të ri muzikor, “Harruar”, por dhe shumë të pathëna të tjera…
Ky projekt kur është dëgjuar në shtëpinë e “Big Brother VIP”, banorët janë përlotur dhe janë emocionuar shumë. Si e komenton Stivi këtë?
Kisha pasur shumë dëshirë që kënga të dëgjohej aty tek banorët dhe për fat të mirë kënga u dëgjua dhe u përcoll emocioni dhe për këtë gjë më vjen shumë mirë. Ata kanë shumë emocione, shumë ngarkesë psikologjike dhe ndoshta preken me ndonjë fjalë, i kujton një histori ose i kujton një të afërm dhe për këtë gjë më vjen mirë. Që të dëgjohet “Harruar” në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, është privilegj. Po qante Bardhi dhe Romeo (qesh).
A do të doje që të ishe një nga banorët e “Big Brother VIP”?
Dëshira ekziston, patjetër. Si nga ana e karrierës, si nga ana e një eksperience më tepër. Por nuk jam i sigurtë nëse do të futesha këtë edicion apo edicionin tjetër, sepse kam një teori në kokën time… Që të ecësh në atë shtëpi duhet të jesh pak i matur, pak i madh në moshë. Kam vënë re që mosha mbi 35 vjeç, është një moshë e artë, që ka dhënë shumë rezultat të paktën në këto tre edicione VIP. Kjo lloj moshe ka më maturi, ka më eksperiencë, ka një ekselencë kur flet dhe debaton. Dinë se si të luajnë, janë më babaxhanë dhe më të mirë. Në rastin tim, do të kisha një ekspresivitet më të madh, do të kisha emocion dhe vetëkontrollin do ta kisha jo aq të menaxhueshëm kundrejt një banori më të madh në moshë. Por është një eksperiencë që besoj se nuk do t’i thoja ‘jo’.