Qeveria miraton skemën e mbështetjes në Bujqësi, mbi 70 000 fermerë përfitues!

vovalbania March 06, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Qeveria miraton skemën e mbështetjes në Bujqësi, mbi 70 000 fermerë përfitues!

Qeveria miratoi këtë të mërkurë kriteret e mbështetjes për fermerët përmes skemës kombëtare. Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur se synohet mbështetja e mbi 70 000 fermerëve, që do të mbështeten përmes skemës kombëtare.

Sipas Denajt, në fokus do të jetë bashkimi i fermerëve, duke synuar ekonominë e shkallës. Denaj tha se janë 77 % e fermerëve përfitues nga skema e miratuar sot.

“Vitin e kaluar mundësuam 51 milionë dollarë investime për më shumë se 65 000 fermerë. Këtë vit synojmë që fondi të mbështesë mbi 70 000 fermerë. Këtë vit skema kombëtare synon të mbështesë sektorët përmes dy parimeve bazë. Së pari, konsolidimin e sektorit përmes bashkimit, duke synuar që përmes bashkimit të operatorëve të rritet ekonomia e shkallës dhe cilësia e produktit. Dhe përmes kësaj synojmë tregjet elitare në eksportet që janë çdo vit e më të rritura, por dhe një presion gjithnjë e më të shtuar të konsumit të brendshëm duke shfrytëzuar dhe rritjen numrit të turistëve”, tha Denaj.

“Në total janë përcaktuara tetë masa. Së pari, mbështetja për lopët në vlerën 10 000 lekë për krerë, për tufa mbi 10 krerë në fermë. Së dyti, bagëtitë e imta me mbështetje 1 200 për krerë, për tufa mbi 100 krerë për fermë. Mbështetja për bletarinë në vlerën 1000 lekë për zgjua, ku ferma duhet të ketë të paktën 50 zgjoje. Mbështetje për perimet, luleshtrydhet dhe rrushi në tavolina sera me vlerën 200 000 lekë për hektarë, por jo më shumë se dy sezone dhe jo më pak se 1 hektarë fermë. Kemi një produkt të ri, bimët mjekësore aromatike, 30 000 lekë për hektarë dhe jo më pak se një hektar të kultivuar. Nafta për bujqësinë do të vazhdojë me të njëjtat kritere, që s’do të mundësohet me naftë të dhëna me bidona apo kartë, por lekë në llogari”, tha Denaj.

“Mbështetej për certifikimin e fermave organike, që ka qenë dhe do vazhdojë të jetë edhe në vitin 2024 sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Denaj.

Denaj tha se “prioritet do të kenë aplikuesit që do janë anëtarë të një shoqërie të bashkimit bujqësor, ose bashkim operatorësh me të paktën shtatë anëtarë. Përjashtim bën rasti i serrave, do të jetë katër numri minimal i anëtarëve. Prioritet pra do të jetë për aplikuesit që vijnë si bashkësi operatorësh në të dy format dhe pjesa tjetër do të shpërndahet në mënyrë të barabartë për pjesën tjetër të aplikantëve që plotësojnë kriteret”.

“Një element i rëndësishëm që lidhet me tavanin. Ne këtë vit kemi menduar që tavanin ta heqim, por të jetë 50 % e masës totale për çdo zë”, tha Denaj.

“Regjistrimi me nipt fermeri është kusht. Sot janë 97 000 fermerë të regjistruar me nipt, nëse llogarisim 70 000 përfitues atëherë i bie që janë 77% e fermerëve të jenë përfitues nga skema kombëtare për bujqësinë. Në këto 11 vite kemi patur formalizim të bujqësisë. Në 2013 kemi patur 4 000 nipte fermerësh, sot kemi 97 000. Kjo skemë nuk nxit formalizimin, por prodhimin, pasi kjo skemë mbështet prodhimin”, tha Denaj.

Aplikimet pritet të çelen në fund të muajit mars, dhe sipas Denajt, data e synuar është 27 marsi, me synimin që të gjenden hapësira për të mbështetur të gjithë aplikantët.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65242 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE