Sot 7 marsi, Dita e Mësuesit! Rama: Mirënjohje dhe respekt për mësuesit në çdo krahinë të Shqipërisë dhe diasporë!
Sot, rreth 29 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë festojnë 7 marsin. Dita e 7 Marsit, është kthyer në një festë për mësuesit dhe arsimtarët dhe festohet në të gjitha shkollat e vendit me aktivitete të shumta në shenjë falënderimi për mësuesit për punën që kryejnë në edukimin e brezit të ri.
Si sot 137 vite më parë në qytetin e Korçës u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare. Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet.
Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin, dëshmohet nga dëshira e zjarrtë që ata kishin për të përhapur dijen në popull.
Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi te madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies, për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit e tyre. Të edukuar me frymën e lartë të patriotizmit këta nxënës do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshem ne luftën për liri dhe pavarësi.
Kështu dita e 7 Marsit, është kthyer në një festë për mësuesit dhe arsimtarët.
Kryeministri Edi Rama ka uruar mësuesit në këtë ditë të shënuar. Rama shpreh mirënjohje dhe respekt për mësuesit në të gjithë krahinat shqiptare dhe diasporë.
Kreu i qeverisë ka uruar me një video të veçantë, ku nxënësit këndojnë ‘Himnin e Mësuesit’.
“MIRËMËNGJESI dhe duke ju uruar Gëzuar 7 Marsin me “Himnin e Mësuesit”, kënduar nga nxënësit e shkollave të Tiranës dhe kori i Liceut Artistik, me mirënjohjen më të thellë dhe respekt për mësuesit e çdo krahine të Shqipërisë, të trojeve ku flitet shqip dhe diasporë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka uruar mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit.
“Me rastin e 7 Marsit, Festës së Mësuesit, mirënjohje dhe urimet e mia të përzemërta për koleget dhe kolegët mësuese e mësues. Për dashurinë, dijet dhe vlerat që u japin vajzave dhe djemve të Shqipërisë. Talenti, përkushtimi dhe sakrifica e tyre janë investimi më i mirë për të ardhmen. Sepse progresi i arsimit është kusht dhe faktori kryesor i progresit të vendit.”- shkruan Nikolla.