AirPods do të shndërrohen në aparate dëgjimi?! Reagon Apple!
Vitin e kaluar Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) krijoi një lloj të ri aparatesh dëgjimi që mund të bliheshin pa recetë dhe pa ekzaminim mjekësor. Mesa duket, edhe Apple është e gatshme të hyjë në treg me një pajisje mjekësore të dobishme të quajtur AirPods Pro. Sipas Mark Gurman, lajmi i madh për aparatin e dëgjimit nga Apple do të vijë krahas iOS 18.
Këto kufje do të jenë një ndihmë e madhe për ata pacientë që nuk kanë qasje në aparatet profesionale të dëgjimit. Gjithashtu, AirPods mund t’i bëjë ata të ndihen më mirë. Kjo pasi shumë persona nuk e vendosin aparatin e dëgjimit pasi nuk ndjehen rehat ose iu duket vetja shumë i/e moshuar.
Kjo nuk është hera e parë që Gurman shkruan për përdorimin e Apple AirPods si aparat dëgjimi. Gati një vit më parë ai tha se nuk do të habitej nëse gjiganti teknologjik do t’i kthente kufjet në një aparat dëgjimi të miratuar nga FDA. Miliona njerëz do mund të ndihmoheshin me këtë produkt. Në vitin 2016 Apple mori leje për zhvillimin e një sistemi që do t’i lejonte kompanisë të mblidhte të dhëna si rrahjet e zemrës, temperatura dhe djersitja.
Ndërkaq, mbajtja e aparateve të dëgjimit mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të demencës, sipas një studimi të madh dhjetëvjeçar, i cili sugjeron se trajtimi i hershëm i humbjes së dëgjimit mund të ndihmojë në uljen e barrës globale të sëmundjes. Demenca është një nga kërcënimet më të mëdha shëndetësore në botë. Numri i njerëzve që jetojnë me këtë gjendje në mbarë botën parashikohet të trefishohet në 153 milionë deri në vitin 2050.