I propozoi Ukrainës flamurin e bardhë, të gjithë kundër Papa Françeskut!
Ukraina dhe aleatët e saj rajonalë po kritikojnë Papa Françeskun, pasi gjatë një interviste sugjeroi se Kievi duhet t’i hapë bisedimet me Moskën dhe përdori termin “flamuri i bardhë”. Më vonë, Vatikani u mundua t’i tërheqë disa prej fjalive, duke thënë se “nuk po fliste për kapitullimin”.
Papa Françesku sugjeroi që përballë një disfate të mundshme, Ukraina duhet të ketë “guximin” për t’u ulur dhe biseduar me Rusinë për paqen, duke thënë se nuk është turp të valvitësh “flamurin e bardhë”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e kritikoi Papa Françeskun, pa ia përmendur emrin, duke thënë:
Kisha duhet të jetë me popullin dhe jo 2.500 kilometra larg, diku, të ndërmjetësojë virtualisht mes dikujt që dëshiron të jetojë e dikujt që dëshiron të të shkatërrojë.
Më herët, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, reagoi më drejtpërdrejt në rrjetet sociale, duke thënë se “kur bëhet fjalë për ‘flamurin e bardhë’, ne dimë strategjinë e Vatikanit nga pjesa e parë se shekullit XX”.
Shumë historianë e patën kritikuar Vatikanin gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke thënë se Papa Pius XII heshti gjatë Holokaustit. Vatikani argumenton se në atë kohë, nuk ishte në gjendje t’i verifikonte raportimet diplomatike për mizoritë naziste, ndaj dhe nuk i kishte dënuar.
Kuleba shkroi:
Bëj thirrje për shmangien e përsëritjes së gabimeve të së kaluarës dhe për mbështetje për Ukrainën e popullin e saj në luftën e drejtë për mbijetesë. Flamuri ynë është i verdhë dhe blu. Me këtë flamur ne jetojmë, vdesim e triumfojnë. Ne nuk do të ngremë kurrë të tjerë flamuj!
Zelensky thekson se nuk do të flasë drejtpërdrejt me Rusinë, nëse kushtet e “formulës” së tij për paqe nuk plotësohen. Kërkesat e Ukrainës për paqe janë që Rusia t’i tërheqë të gjitha trupat nga Ukraina, t’i rikthejë kufijtë nga epoka pas rënies së Bashkimit Sovjetik më 1991-shin dhe Rusia të mbahet përgjegjëse për veprimet e saj.
Pas kritikave ndaj Papës, zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, shpjegoi se me fjalët e tij për Ukrainën, Papa Françesku pati qëllim të “bëjë thirrje për një armëpushim dhe për kthimin e guximit për bisedime”, e se nuk nënkuptoi kapitullim.
Edhe aleatët rajonalë të Ukrainës shprehën zemërim ndaj komenteve të papës.
Ta nxisim Putinin të ketë guximin ta tërheqë ushtrinë e tij nga Ukraina? Paqja do të mbizotëronte menjëherë pa pasur nevojë për bisedime, tha ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski.
Presidenti i Lituanisë, Edgars Rinkevichs, shkroi në rrjetet sociale:
Konkluzioni im: Nuk mund të dorëzohesh para të ligës, duhet ta luftosh dhe ta mposhtesh në mënyrë që e liga ta ngrejë flamurin e bardhë dhe të dorëzohet!
Alexandra Valkenburg, ambasadore dhe shefe e delegacionit të BE-së në Selinë e Shenjtë, shkroi:
Rusia… mund t’i japë fund kësaj lufte menjëherë duke e respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. BE-ja e mbështet Ukrainën dhe planin e saj për paqe.