Vrasja e të riut në Fier, policia jep detaje!
Grei Bihuci është 19-vjeçari, i cili sot gjeti vdekjen pasi u qëllua me thikë nga Florjan Muka në qendër të qytetit të Fierit. Nga të dhënat paraprake dyshohet se sherri mes tyre nisi në rrjete sociale dhe më pas degradoi në përleshje fizike. Eshtë fjala për një konflikt për motive të dobëta.
Policia arriti të ndalojë autorin 18-vjeçar, i cili është dërguar në komisariat për t’u marrë në pyetje. Një 20-vjeçar që ndërhyri për të shuar sherrin mbeti i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Fierit, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të krimit tragjik në bulevardin “Jakov Xoxa”.
Njoftimi zyrtar i Policisë Fier:
Rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, shtetasi F. M., 18 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin G.B., 19 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital.
Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi O.S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin F.M, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.