’21 Janari’, Gjykata e Lartë pritet të vendosë sot për hetimin e çështjes!
Sot do të mbahet seanca gjyqësore publike në Gjykatën e Lartë në lidhje me dosjen e “21 Janarit”, ku do të vendosë se cili organ i drejtësisë do ta hetojë çështjen, SPAK apo Prokuroria e Tiranës. Vendimi do të merret pasi të dëgjohen argumentet e palëve.
Ashtu siç ishte planifikuar, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë kërkesën e familjarëve të Aleks Nikës, i vrarë në protestën e 21 janarit të vitit 2011, të cilët kërkojnë që dosja t’i kalojë SPAK-ut.
Seanca gjyqësore do të zhvillohet në orën 13:00 me trupin gjykues Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni. Në seancë do të jenë të pranishëm edhe palët, pra të familjes Nikës dhe të përfaqësuesve të SPAK.
Aleks Nika është një nga 4 protestuesit që u vra nga plumbat e shtetit në protestën opozitës së atëhershme në 21 janar 2011.
Do jetë Gjykata e Lartë që me një vendim urdhërues do të vendosë nëse hetimet do t’i vijojë Prokuroria e Tiranës apo do i kalojnë SPAK, për të hapur hetimin e asaj që Gjykata e Strasburgut e quajti krim shtetëror.
Vendimi i Strasburgut i datës 14 nëntor 2023 bën thirrje për drejtësi dhe dënimin e përgjegjësve të atij krimi shtetëror.
Edhe Gjykata e Strasburgut ka kërkuar rihetimin e kësaj ngjarje, ku katër qytetarë u vranë nga plumbat e Gardës me urdhër të shtetit.
Në nëntor 2023, Gjykata e Strasburgut shpalli vendimin e radhës për Aleks Nikën, duke gjetur si shkelje mos hetimin dhe mos zbardhjen e vrasjes së tij.
Një ditë më parë, nëpërmjet një letre, bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika, tha se disponon një mikrokasetë ku janë rregjistruar urdhrat e drejtuesve të Gardës për të qëlluar mbi protestuesit.
Po kështu në letër thuhet se edhe Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar të pa zbardhur vrasjen e protestuesve dhe në të njëjtën kohë një sërë provash janë fshehur nga zyrtarët e lartë të kohës, përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, i cili sipas familjarëve duhet të meren në pyetje nga SPAK.
Prej vitesh, prokuroria e Tiranës e ka hapur e pezulluar disa herë hetimin për zbardhjen e dy vrasjeve, atë të Hekuran Dedës dhe të Aleks Nikës, por rezultatet kanë qenë vetëm në kuadrin e akuzave nga ana e qeverisë ndaj prokurorëve të kryeqytetit.
Dhe nga ana tjetër, qëndrim prapësues nga organi i akuzës së Tiranës që insistoi së fundmi se po kryen hetime.
Megjithatë, veç dënimit të Ndrea Prendit dhe Agim Llupos për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit, fakt është që drejtësia në Shqipëri për më shumë se një dekadë ka dështuar të gjejë se kush i vrau Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën.
Se kush do ta hetojë “21 Janarin”, SPAK apo Prokuroria e Tiranës, kjo me shumë mundësi do të mësohet sot.