Putin paralajmëron Perëndimin: Ne jemi gati për luftë bërthamore, por nuk ‘nxitojmë’!
Presidenti Vladimir Putin i është drejtuar Perëndimit këtë të mërkurë duke thënë se Rusia është teknikisht gati për luftë bërthamore, dhe se nëse SHBA dërgonte trupa në Ukrainë, do të konsiderohej një përshkallëzim i konfliktit.
Reuters shkruan se Putin, duke folur përpara zgjedhjeve të 15-17 marsit, shtoi se skenari i luftës bërthamore nuk po “nxitohet” dhe ai nuk e sheh nevojën për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë.
“Nga pikëpamja ushtarako-teknike, ne sigurisht jemi gati”, tha Putin, duke shtuar se SHBA e kupton se nëse vendosin trupa amerikane në territorin rus, ose në Ukrainë, Rusia do ta trajtonte këtë veprim si një ndërhyrje.
Moska pretendon se ka aneksuar katër rajone të Ukrainës dhe thotë se tani ato janë plotësisht pjesë e Rusisë.
“Në SHBA ka mjaft specialistë në fushën e marrëdhënieve ruso-amerikane dhe në fushën e kufizimit strategjik. Prandaj, nuk mendoj se ka arsye nxitimi për luftë bërthamore, por jemi gati”, tha Putin.