Akuza për korrupsion e pastrim parash, arrestohet ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi!
Pak ditë pasi dha dorëheqjen si numri 1 i Autoritetit Rrugor Shqiptar, arrestohet Evis Berberi. I akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, Berberi u prangos me vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK-ut. Në krye të ARRSH-së erdhi në qershor të vitit 2021, kur zëvendësoi Ergys Vjerdhon në këtë detyrë.
Deri tani dihet vetëm se Ervis Berberi u arrestua në orët e mbrëmjes së djeshme me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme. Të paktën tre urdhër-arreste me burg, edhe për biznesmenin Valter Begaj, janë firmosur nga GJKKO-ja, me kërkesë të SPAK-ut që ka zbardhur disa paligjshmëri.
Gjatë kontrolleve në banesë, Berberit i janë gjetur dhe sekuestruar shuma parash e sende me vlerë. Kujtojmë se javët e fundit, SPAK-u nisi një hetim ndaj Berberit, për çështjen e shitjes së një kompanie në vitin 2018. Po ashtu, dyshohet për transferim fiktiv me qëllim që të shmangte konfliktin e interesit, pasi do të emërohej si këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë.
Orët në vijim priten më shumë detaje lidhur me këtë zhvillim e gjithashtu një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Posaçme.