SHBA: Shqetësimet për lidhjet e Hungarisë me Rusinë “s’mund të injorohen”!
Ambasadori amerikan në Hungari paralajmëroi Budapestin lidhur me zgjerimin e raporteve të tij me Rusinë dhe ngriti “shqetësime legjitime të sigurisë” gjatë fjalimit të tij në 25-vjetorin e anëtarësimit të Hungarisë në NATO.
Ambasadori David Pressman tha se përderisa Hungaria është një mike e kamotshme dhe aleate, shteti ka bërë gjëra që minojnë besimin dhe miqësinë dhe shqetësimet që ai ndan me aleatët e Hungarisë në NATO “nuk mund të injorohen”.
Shqetësimet kanë në qendër Qeverinë që “e cilëson dhe e trajton SHBA-në si ‘kundërshtare’, ndërkaq bën zgjedhje politike që e izolojnë gjithnjë e më shumë nga miqtë dhe aleatët e saj”, tha Pressman gjatë ngjarjes së organizuar nga ambasada amerikane.
SHBA-ja “nuk mund të injorojë pretendimin e kryetarit të Parlamentit të Hungarisë se lufta [e presidentit rus, Vladimir] Putin në Ukrainë është në fakt luftë ‘e udhëhequr nga SHBA-ja’”, tha Pressman. “Ne nuk mund ta kuptojmë e as ta pranojmë që kryeministri e identifikon SHBA-në si ‘kundërshtaren kryesore’ të Hungarisë”.
Pressman shtoi se aleatët e Hungarisë po paralajmërojnë për rreziqet e “raporteve të ngushta dhe të zgjeruara të Hungarisë me Rusinë” dhe nëse ky është vendim politik i Hungarisë, “ne duhet të vendosim se si do të mbrojmë më së miri interesat tona të sigurisë, që do të duhet të jenë interesat tona të përbashkëta të sigurisë si aleatë”.
Qeveritë perëndimore kanë shprehur pakënaqësi lidhur me raportet e ngushta të kryeministrit hungarez, Viktor Orban, me Moskën pavarësisht nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Raportet mes Budapestit dhe Uashingtonit u përkeqësuan pas vonesave të shkaktuara nga Hungaria për ratifikimin e pranimit të Suedisë në NATO.
Ambasadori Pressman tha se Hungaria haptazi i ka bërë thirrje SHBA-së dhe aleatëve të tjerë që të ndalin dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, për të detyruar palët të arrijnë një marrëveshje armëpushimi dhe të zhvillojnë bisedime të paqes.
“Edhe SHBA-ja do paqe. Ne duam që kjo luftë të përfundojë. Por, propozimi hungarez nuk përkon me realitetin”, tha ai.
Ambasadori amerikan po ashtu përmendi shtypjen e mediave dhe gazetarëve të pavarur. Ai tha se SHBA-ja kërkon dialog me Qeverinë hungareze dhe dëshiron raporte të bazuara “në vlera demokratike, sigurinë e përbashkët dhe prosperitetin”.
Udhëheqja amerikane është e vendosur se dëshiron të përmirësojë raportet, tha Pressman, por Qeveria hungareze ende nuk ka shprehur një synim të tillë.