Ylli i “Spice Girls” Melanie Brown flet për martesën e saj abuzive!
Melanie Brown e njohur ndryshe si ‘Mel B’ e grupit muzikor Spice Girls ka shprehur se disa vjet më parë pas tërheqjes nga një martesë abuzive, mbeti thuajse pa asnjë kacidhe. Këngëtarja u largua nga Kalifornia, për t’u kthyer në shtëpinë e nënës së saj në Leeds në veri të Anglisë. 48 vjeçarja thotë se mbeti e pafuqishme prej situatës që kaloi.
Brown mezi arriti të blejë sërish një shtëpi të sajën edhe pse nuk mendonte se do t’ia arrinte kurrë. Vendimi për rikthimin në Angli erdhi bashkë me atë të ribashkimit të grupit Spice Girls për një turne në stadiume në vitin 2019. Koncertet kishin fitim, por Mel B sërish i shpenzoi fitimet në fatura ligjore dhe pagesa për ish-bashkëshortin Stephen Belafonte, për të cilin thotë se ishte abuziv. Melania u shpreh për BBC se:
Nuk ishte vetëm abuzimi emocional dhe fizik por dhe ai financiar. Unë nuk e dija sa para kisha dhe u detyrova të kthehem për të jetuar me nënën. Ajo u gëzua që më në fund u ndava prej tij por unë kisha humbur besimin te njerëzit dhe te vetvetja.
Belafonte i mohon pretendimet ndaj tij. Dyshja arriti një marrëveshje private ndarjeje në 2017 dhe finalizuan divorcin një vit më vonë. Si pjesë e marrëveshjes Brown duhet të paguante Belafonte shumën e plotë $350,000, plus $5,000 në muaj për shpenzimet e bijës së tyre Madison. Mel B është fejuar tashmë me të dashurin Rory McPhee prej vitit 2022 dhe kanë në plan të martohen në Londër.