Lufta në Ukrainë, viktima nga sulmet ruse në rajonet ukrainase!
Po vazhdojnë pa ndërprerje sulmet ruse në Ukrainë. Raportohet për dy persona të vrarë dhe disa të tjerë të plagosur nga goditjet e orëve të fundit me raketa dhe dronë e që trupat e Moskës i kryen në disa rajone ukrainase. Lajmin e dhanë zyrtarë ushtarakë dhe rajonalë. Ndërkohë, Rusia deklaroi se rajoni i saj kufitar, Belgorod u sulmua përsëri nga dronët dhe raketat ukrainase.
Një dron rus ka goditur një godinë banimi në Vinitsia, kryeqytetin e rajonit në perëndim të Ukrainës, duke vrarë një person, si dhe duke plagosur katër të tjerë, siç njoftoi guvernatori rajonal, Serhiy Borzov, në një postim në Telegram.
Më vonë, i njëjti zyrtar lokal bëri të ditur se një grua ndërroi jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra nga ky sulm, duke mos arritur t’i mbijetojë plagëve. Kievi zyrtar raportoi se Moska sulmoi shtatë rajone ukrainase me 27 dronë të llojit “Shahed” dhe me tetë raketa mëngjesin e sotëm.
Që të 27 dronët u rrëzuan mbi rajonet Kirovohard, Mikolaiv, Herson, Hmelnitski, Vinitsia dhe Kiev, bëri të ditur ushtria ukrainase në një komunikatë.
Po ashtu, ushtria ukrainase nuk tregoi nëse ka mundur t’i rrëzojë edhe raketat ruse. Por, shtoi se forcat ukrainase u angazhuan në 76 beteja në 24 orët e fundit, në zona të rajonit lindor Donjeck, Novopavlivka, Avdivka, si dhe Liman.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se Ukraina sulmoi rajonin e saj kufitar, Belgorod, po ditën e sotme duke hedhur mbi të shtatë raketa “Vampir”, të cilat u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes raketore ruse.
Ky dikaster nuk dha detaje nëse ka pasur viktima apo dëme nga këto sulme. Ndërkaq, kanali Baza në Telegram postoi një video ku shihet një autoveturë duke u djegur në një rrugë në kryeqytetin rajonal, Belgorod, i cili është duke u sulmuar nga Ukraina në tre ditët e fundit.
Aleksei Kulemzin, kryetari i emëruar nga Moska në qytetin e pushtuar nga Rusia, Donjeck, tha në Telegram se tre fëmijë u vranë nga bombardimet ukrainase këtë të premte. Por, siç ndodh shpesh në të tilla raste, pretendimet e tij nuk kanë mundur që të verifikohen në mënyrë të pavarur.