Testi i gjakut për të zbuluar kancerin e zorrës së trashë rezulton i suksesshëm!
Sipas një studimi të botuar në “New England Journal of Medicine”, një test gjaku i krijuar për të zbuluar kancerin e zorrës së trashë te njerëzit në rrezik mesatar, të cilët nuk kanë simptoma, arriti të zbulonte kancerin në 83% të tyre. Gjetjet u kryen nga ECLIPSE, një provë klinike në shumë vende që përfshin gati 8,000 njerëz të moshës 45-84 vjeç. Studiuesit krahasuan testin e gjakut, i cili zbuloi simptomat e kancerit të zorrës së trashë në gjak nga ADN-ja, me një kolonoskopi.
Nga 7,861 personat e përfshirë në studim, 83.1% e tyre kishin një test gjaku pozitiv dhe në 16.9% testi i tyre rezultoi negativ. Testi ishte më i ndjeshëm për kancerin e zorrës së trashë, duke përfshirë kancerin në fazën e hershme, por më pak i ndjeshëm për lezionet prekanceroze të avancuara, të cilat mund të kthehen në kancer me kalimin e kohës.
Sipas Shoqatës Amerikane të Kancerit, kanceri i zorrës së trashë është shkaku i dytë kryesor i vdekjes nga kanceri tek të rriturit në SHBA dhe pritet të shkaktojë 53,010 vdekje në vitin 2024. Mjekët rekomandojnë që personat me rrezik mesatar për kancer të zorrës së trashë të fillojnë ekzaminimin e rregullt në moshën 45-vjeçare. Kanceri i zorrës së trashë është një tumor malinj që prek pjesën e zorrëve.
Edhe pse zakonisht prek të moshuarit, kanceri i zorrës së trashë mund të shfaqet në çdo moshë. Ai fillon si grumbullime të vogla jo kanceroze qelizash të quajtura polipe, që formohen brenda zorrës së trashë. Me kalimin e kohës, disa nga këto polipe mund të zhvillohen në kancer të zorrës së trashë. Një lloj qelize imune që kontrollon zorrët e njeriut duket se ka një rol vendimtar dhe ende pak të njohur në luftën kundër kancerit të zorrës së trashë. Sipas një studimi të publikuar në “Science Immunology”, limfocitet T gama delta, janë ‘lojtarët kryesorë’ në përgjigjen e sistemit imunitar ndaj këtij lloji të kancerit dhe një proteinë e shprehur në sipërfaqen e tyre duket se kontrollon aktivitetin e tyre.