Ekzekutimi i Gentian Bejtjas, zbardhet dinamika e atentatit në Fushë-Krujë!
Zbardhen detaje nga atentati i pasdites së djeshme që i mori jetën ish-policit të burgjeve, Gentian Bejtja, në banesën e tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Autorët që dyshohet se kanë qenë katër persona janë afruar me automjetin tip “Land Rover” fuoristradë nga zona e Fushë-Krujës në drejtim të Larushkës.
Rreth orës 16:20 minuta të së premtes, 15 mars, ata hynë në rrugicën ku ndodhet vila e Gentian Bejtjas në Larushk dhe që është e rrethuar e gjitha me mure të larta.
Më tej, e kanë afruar makinën deri pranë portës kryesore të shtëpisë së objektivit, ndërsa dyshohet se më pas kanë zbritur tre vetë, të cilët kanë qenë të maskuar dhe me veshje të zeza e me tre kallashnikovë në duar. Në makinë ka qëndruar një i katërt, në pritje për t’u larguar me shpejtësi pas krimit.
Porta e madhe dhe kryesore e vilës së Gentian Bejtjas ka qenë e hapur dhe autorët kanë mundur të futen direkt brenda oborrit. Bejtja ishte vetëm disa metra larg nga oborri pasi po merrej me disa punë në pjesën e pasme të vilës së tij. Aty, autorët e kanë qëlluar me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në vend dhe më pas janë larguar.
Në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur rreth 50 gëzhoja kallashnikovi e që sipas të dhënave paraprake janë qëlluar nga tre armë kallashnikovë. Më pas, autorët u rikthyen në makinën tip “Land Rover” ngjyrë të bardhë me të cilën lëviznin dhe dolën në rrugën kryesore, që lidh Fushë-Krujën me Kamzën.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë, rezulton se ata kanë marrë drejtimin për nga fshati Hasan, në afërsi të mbikalimit të Fushë-Krujës dhe vetëm disa kilometra larg vendit të ngjarjes ku dhe kanë djegur makinën duke i vënë flakën, siç veprohet shpesh në atentate të tilla.
Sipas hetuesve, dyshohet se aty janë pritur nga një tjetër automjet që i ka larguar nga vendi ku i vunë flakën makinës së parë që u përdor në krim. Policia ka sekuestruar disa kamera të bizneseve të aksit rrugor që është përshkuar nga personat që vranë Gentian Bejtjan.
Prej 2016-ës, ish-polici i kishte shpëtuar tre atentateve. Në shtëpi gjendej vetëm nëna e tij dhe viktima ishte rikthyer pas 8 muajve, por duket se është mbajtur nën vëzhgim.