Mbi 31.000 palestinezë të vrarë/ Bisedimet për armëpushim në Gazë pritet të rifillojnë, Katari zbulon datën!

vovalbania March 16, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Mbi 31.000 palestinezë të vrarë/ Bisedimet për armëpushim në Gazë pritet të rifillojnë, Katari zbulon datën!

Bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – pritet të rifillojnë të dielën në Katar, thanë zyrtarët egjiptianë.

Ndërmjetësuesit shpresonin se do ta siguronin një armëpushim të përkohshëm gjashtëjavor para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit javën e kaluar, por Hamasi nuk e pranoi marrëveshjen e cila nuk përfshinte armëpushim të përhershëm në Gazë, kërkesë që u hodh poshtë nga Izraeli.

Në ditët e fundit, megjithatë, të dyja palët kanë treguar gatishmëri për t’i rifilluar bisedimet, të cilën kanë ngecur.

Hamasi ua dha ndërmjetësuesve një plan të ri trepjesësh, sipas të cilit, lufta do të merrte fund, thanë zyrtarët egjiptian, njëri i përfshirë në bisedime dhe tjetri i njoftuar rreth tyre. Ata folën për Associated Press në kushte anonime, sepse nuk janë të autorizuar ta zbulojnë përmbajtjen e ndejshme të bisedimeve.

Pjesa e parë do të ishte një armëpushim gjashtëjavor, gjatë të cilit do të liroheshin 35 pengje – gra, të moshuar dhe të sëmurë – të cilat po mbahen nga pjesëtarët e Hamasit në Gazë, në këmbim të 350 të burgosurve palestinezë në Izrael.

Hamasi do t’i lironte gjithashtu edhe së paku pesë ushtare në këmbim të 50 të burgosurve, përfshirë të disave që po kryejnë dënime të rënda për terrorizëm. Forcat izraelite do të tërhiqeshin nga dy rrugët kryesore në Gazë, do t’i lejonin palestinezët e zhvendosur të kthehen në veri të Gazës, e cila është shkatërruar nga luftimet, si dhe do të lejonte hyrjen e ndihmave humanitare në atë pjesë, thanë zyrtarët.

Në pjesën e dytë, të dyja palët do të shpallnin armëpushim të përhershëm dhe Hamasi do t’i lironte ushtarët e mbetur izraelitë që po mbahen peng, në këmbim të lirimin të më shumë palestinezëve, sipas zyrtarëve.

Në pjesën e tretë, Hamasi do t’i dorëzonte trupat që po i mban, ndërsa Izraeli do ta hiqte bllokadën ndaj Gazës dhe do të lejonte fillimin e rindërtimit të enklavës, thanë ata.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka cilësuar si “joreal” këtë propozim.

Megjithatë, ai është pajtuar t’i dërgojë negociatorët izraelitë për bisedime në Katar.

Bisedimet pritet të rifillojnë të dielën pasdite, megjithëse ka mundësi të shtyhen deri të hënën, sipas zyrtarëve egjiptianë.

Qeveria e Netanyahut i ka kundërshtuar thirrjet për armëpushim të përhershëm në Gazë, duke ngulur këmbë se, së pari duhet ta përmbushë synimin për ta “çrrënjosur Hamasin”.

Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65800 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE