Me armë, municione e bllokues valësh sekuestrohet makina e parkuar në Sauk!
Policia e Tiranës ka gjetur një automjet të parkuar në zonën e Saukut brenda të cilës, u zbuluan një pistoletë dhe një automatik me krehra e po ashtu sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh. Nga verifikimet e bluve, rezultoi se kjo makinë është në pronësi të shtetasit Emiljano Nina, kushëriri i të shumëkërkuarit të drejtësisë, Ervis Martinaj.
Në vijim të veprimeve hetimore, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për shtetasin E.N, si dhe po punohet për kapjen e shtetasit O.Gj, ky i fundit shofer i mjetit.
Njoftimi zyrtar i policisë së kryeqytetit:
Tiranë/Vijon operacioni mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.
Goditet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, një rast i armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), me krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh, që u gjetën në një automjet të parkuar, në Sauk.
Po punohet për kapjen e një 37-vjeçari, i cili dyshohet se përdorte automjetin, si dhe u referuan materialet në Prokurori, për pronarin e tij.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh, dhe Komisariati i Policisë Nr. 1, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat:
Në rrugën “Xhabrahimi”, Sauk i Vjetër, shërbimet e Policisë, kanë gjetur në parkingun e një pallati, automjetin në pronësi të shtetasit E.N., 28 vjeç, (aktualisht ndodhet në paraburgim të IEVP 313, Tiranë), i cili dyshohet se përdorej nga shtetasi O.Gj., 37 vjeç.
Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri (një pistoletë dhe një automatik), krehra dhe sasi municioni luftarak, si dhe një bllokues valësh.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin E.N dhe ndërkohë po punohet për kapjen e shtetasit me iniciale O.Gj.