Muaji i Ramazanit, myftiu i sapozgjedhur i Tiranës në podcast me Ramën: Dija, pikënisja e gjithçkaje!
Kryeministri Edi Rama sot ndau episodin e 8-të të Sezonit 3, të Podcast-it të tij FLASIM të titulluar “Në emër të Zotit, lexo!”. Në këtë episod të radhës, shefi i qeverisë kishte ftuar myftiun e sapozgjedhur të Tiranës, Bilal Teqja dhe ia dedikoi besimit duke qenë se jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit ku besimtarët myslimanë në mbarë botën, përfshirë ata në Shqipëri, agjërojnë.
Bilal Teqja rrëfeu mënyrën si ai nisi t’i përkushtohet besimit islam, duke filluar që nga hera e parë kur hyri në një xhami dhe ishte në moshën 12-vjeçare e më tej, gjatë gjithë periudhës së studimeve në shkollat fetare. Myftiu foli edhe për efektet e agjërimit gjatë Muajit të Ramazanit.
Nëse e mendojmë besimin islam si një ndërtesë të bukur, ajo mbahet në 5 shtylla. E para, është fjala. Katër të tjera janë vepra, agjërimi, falja, axhi, zekati. Nga të gjithë adhurimet, agjërimi i Ramazanit është më interior, sepse kultivon sinqeritet, kultivon shpirtin e njeriut, që përmbledh kodet morale që ka njeriu në jetë. Eshtë momenti më i mirë për të kuptuar se çfarë vlerash ke ti si njeri, çfarë mund të rregullosh, çfarë mund të japësh më shumë, u shpreh Teqja.
Kryeministri Edi Rama u ndal më tej edhe te rëndësia e leximit, duke cituar profetin Muhamed: “Paqja e Zotit qoftë mbi të, që boja e shkrimit të nxënësit është më e shenjtë se gjaku i martirit”.
“Dija është pikënisja e gjithçkaje”, vuri në dukje myftiu Bilal Teqja.
Surja që ka nisur Kurani, që në fillim të thotë lexo! Në fund, thotë afroju Zotit! Pra, nis me dijen, për t’u afruar me Zotin. Kurani është i vlefshëm për çdo kohë, është shumë interesant. Flet me Kuran dhe të kupton si ai që është fëmijë, ashtu edhe ai i rritur. Por, ai që ka më shumë njohuri, e kupton më mirë Kuranin. Zoti të jep eksperiencë, sprova e sfida në jetë. Prandaj, njerëzit që janë më të lartë në status, e kuptojnë më mirë Kuranin dhe Zoti u hap më shumë hapësira se ata që nuk e kanë dijen. Dija është pikënisja e gjithçkaje, tha myftiu Teqja.