Asambleja e PS-së në Durrës, Rama: Asnjë shans që PS të kthehet në flamur grisësen e Reformës në Drejtësi!

vovalbania March 17, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Asambleja e PS-së në Durrës, Rama: Asnjë shans që PS të kthehet në flamur grisësen e Reformës në Drejtësi!

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste u shpreh sot se në kuadër të procesit të rienergjizimit të partisë janë regjistruar 29 225 anëtarësime të reja. Në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste në Durrës, Rama tha se objektiv mbetet arritja e 50 mijë anëtarësimeve të reja deri në Kongresin e qershorit.

Sot në regjistrin dixhital të anëtarësisë socialiste numërohen 29 225 anëtarësime të reja. Shifra e anëtarësimeve të reja është domethënëse për ne të gjithë jo për t’u ndalur këtu, por për të parë në pasqyrën e re të anëtarësisë së çdo qarku potencialin e madh të rritjes së forcës sonë politike, shtrirjes së saj në çdo lagje dhe vendbanim nga qendra në skajet e çdo bashkie dhe thellimit të influencës së saj në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.

Kreu i PS-së kërkoi që ky proces të mos ndalet këtu.

Të vendosim sot dy objektiva të reja, 50 mijë anëtarë të rinj deri në Kongresin tonë zgjedhor të qershorit të këtij viti, pra mbi 20 mijë që i shtohen këtyre. Të gjithë e keni parë që me sa shumë gatishmëri dhe me sa shumë lehtësi janë tejkaluar objektivat vetëm për një arsye të thjesht, sepse nuk kemi pritur që njerëzit të vinë te ne, por kemi shkuar ne tek ata.

Së dyti, Rama kërkoi rishikimin e përbërjes së çdo organizate socialiste me qëllim harmonizimin e përbërjes së secilës organizatë me profilin politik dhe social të zonës që mbulon organizata socialiste.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Rama theksoi se ky është momenti për të mos u ndalur për të rritur shpejtësinë duke nxitur një dallgë të re reformash në funksion të mirëqeverisjes, në zbatim të ligjit dhe antikorrupsionit.

Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e muajve të fundit:

Mbase rikthimi i fjalës do të rikthejë hapësirat për të komunikuar, por shumica jonë kuvendore duhet ta vendosë në tryezën e Komisionit të Ligjeve një draft rezolutë për të nxitur një debat të madh publik lidhur me sfidat kombëtare të anëtarësimit në BE dhe reformat e masave të mëtejshme që Shqipëria duhet të ndërmarrë pa humbur kohë.

Zhvillimi i fundit për rikthimin e Parlamentit në normalitet, si dhe krijimi nga Komisioni i Ligjeve i një mekanizmi që mundëson ballafaqimin e hapur dhe të barabartë mes shumicës dhe pakicës, për ndërmarrjen e nismave ligjore përtej votave në dispozicion të PS duhet të shkojë në drejtimin e duhur për Shqipërinë në përballjen e saj si shtet, jo thjesht si qeveri, me sfidat kombëtare të procesit të anëtarësimit.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se PS-ja e kësaj gjenerate, po shkruan një kapitull të ri në historinë e marrëdhënieve të pushtetit politik me drejtësinë, me vetëdije të plotë, me patriotizëm të vërtetë dhe me sensin më të lartë të përgjegjësisë për Shqipërinë e gjeneratës tjetër.

Nëse nuk do të donim një drejtësi me duar të lira nga prangat 100 e sa vjeçare të pushtetit ekzekutiv, i kishim bërë të tëra pazaret e nevojshme për ta penguar ardhjen e kësaj kohe, kur për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar hetohen, gjykohen dhe dënohen individë të pushtetit  më të lartë politik.

Thonë disa që e bënë amerikanët dhe nuk e bëmë ne. Po amerikanët këtu ishin edhe më përpara, aty janë edhe në vende të tjera të NATO-s apo pro NATO-s në rajon. Pse Shqipëria mos të ishte ende sot si këto vende të rajonit ku tre prej tyre i kanë hapur negociatat më përpara se ne dhe asnjëra nuk e ka ndërmarrë reformën e thellë në drejtësi që u kërkohet nga BE-ja, ta bëjnë duke marrë si shembull Shqipërinë?

Jo vetëm që s’ka shans që kjo parti të kthehet nga flamur mbajtësja e reformës në drejtësi në flamur grisësen e saj, por kjo parti do jetë garantja e vendosur duke i mbështetur pa kushte institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit majtas dhe djathtas, lart e poshtë dhe duke i mbajtur larg duart e pushtetit të shumicës nga punët e pavarura të drejtësisë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE