OSHEE propozon ndryshim të çmimit të energjisë për furrat e bukës…
OSHEE propozon ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike për furrat që prodhojnë bukë e pastiçeri.
Propozimi është bërë për 3 fasha. Për furrat e bukës mbetet 7.6 lekë kilovati që është aktualisht.
Ndërsa do rritet me 9.5 lekë kilovati për furrat e bukës që janë dhe pastiçeri dhe 12 lekë kilovati për furrat e bukës që kanë pastiçeri e kafe.
Propozimi u bë në tryezën e diskutimit me përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave ku ishte e pranishme, Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
“Ne kemi pasur një diskutim shumë të gjatë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me përfaqësues aty dhe kemi bërë një lloj tipologjie që besoj dhe me Shoqatën e furrave të bukës kemi gjetur dakordësinë. Sot ne vijmë me një propozim që ka 3 çmime. Ka një çmim që është 7.6 lekë për kilovatorë që është vetëm për ato subjekte që kanë vetëm furrë buke, asgjë tjetër.
Kemi një çmim 9.5 lekë që është për ato ambiente që kanë furra buke por që kanë dhe aktivitete pak më të integruara siç mund të jetë shitja e pastiçerisë apo dhe e produkteve të tjera të brumrave. Dhe kemi një çmim tjetër që është 12 lekë që është për ato ambiente që janë më të zgjeruara që kanë të përfshirë bar dhe kafe” u shpreh drejtori i OSHEE-së, Enea Karakaçi.
Sipas ministrisë janë 66 milionë kilovatorë në vit që shpenzohen nga furrat e përkthyer në vlerë 500 milionë lekë për kompaninë.