Pas komunikimit të akuzës për Sterilizimin, Beqaj: 445 mijë shqiptarë u operuan në kushte të sigurta!

vovalbania March 18, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Pas komunikimit të akuzës për Sterilizimin, Beqaj: 445 mijë shqiptarë u operuan në kushte të sigurta!

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u paraqit në SPAK ku iu komunikua akuza për shpërdorim detyre në dosjen e Sterilizimit. Pasi doli nga mjediset e Prokurorisë së Posaçme, ai foli për gazetarët e tha se garantimin e kujdesit shëndetësor e ka pasur detyrim dhe mision.

Të përdorësh me efiçencë fondet, është detyrë. Por t’i përdorësh me efiçencë është akoma më e mirë. Në 50 muaj, prokuroria nuk ia doli të hetojë procesin e Sterilizimit, uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikut në spital. Janë kursyer para’’.

Për 50 muaj, prokuroria nuk mori mundimin të hetojë se përse nga prilli 2010 e deri në shtator 2013, centrali i Sterilizimi i blerë u mbajt në qese, ndërkohë që ISHP-ja kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë në QSUT. Që nga fillimi i kontratës, 445 mijë shqiptarë janë operuar në kushte të sigurta.

Në 50 muaj, prokurorët nuk qenë në gjendje të kryejnë dy vlerësime kryesore që bëhen për çdo PPP, vlera e parasë dhe si është materializuar ndarja e riskut mes privatit e publikut pas 8 vitesh zbatim konkret. Unë të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë ku besoj se do të dalë e vërteta e përfitimeve që kanë patur shqiptarët nga sterilizimi.

Zyrtarisht, Beqaj është nën akuzë nga SPAK-u, ndërsa 8 të pandehurve të tjerë iu komunikua akuza të premten e 15 marsit.

Pas 10 ditësh në pritje të prapësimeve, SPAK-u do ta dorëzojë dosjen në GJKKO, me kërkesën për nisjen e gjykimit. I akuzuar për “Shpërdorim detyre”, Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili mori koncesionin e Sterilizimit. Rrjepaj e Rrapaj janë në burg prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat. Zv.ministri akuzohet për “Shpërdorim detyre” ndërsa biznesmeni për “Mashtrim”.

Në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të Tenderit të Sterilizimit. Saimir Kadiu, Drejtor Ekonomik dhe Marsela Serjanaj, Drejtoreshë Juridike janë në “Arrest shtëpie” ndërsa mjeku Arben Gjata, si edhe Naile Ajazi, Genc Byrazeri e Petro Mersini, me masën “Detyrim për paraqitje”.

Një muaj më parë u vendos sekuestro edhe ndaj dy kompanive të Rrapajt e disa aksioneve të tij në një tjetër shoqëri tregtare.

Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, të cilët pritën deri në momentet e fundit për mbylljen e hetimeve, afati i të cilave përfundoi më 15 mars. SPAK-u akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të Sterilizimit me vlerë 100 milion euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.

Prokuroria thotë se në dhënien e koncesionit, të akuzuarit “nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën” ndërsa sipas akuzës “Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj”. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK-u janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin, si dhe mosrealizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.

Të akuzuarit dhe akuzat:

Ilir Beqaj              Shpërdorim detyre

Ilir Rrapaj             Mashtrim

Klodian Rjepaj     Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Saimir Kadiu        Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Marsela Serjana   Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Arben Gjata          Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Naile Ajazi            Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Genc Byrazeri      Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

Petro Mersini       Falsifikim i dokumentave dhe Shpërdorimi i detyrës

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE