Osmani i përgjigjet ambasadorit Hill: Vetëm Rusia është më larg NATO-s se Serbia!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kundërshtoi pohimin e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është më pranë NATO-s se Kosova. Pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Prishtinë, në kuadër të “Javës së Gruas”, Osmani tha se vetëm një shtet është më larg NATO-s se Serbia, dhe “ajo është Rusia e Putinit”.
Gjatë një interviste për mediat serbe, Hill deklaroi se aktualisht Serbia është më pranë aleancës ushtarake perëndimore se Kosova, duke theksuar se NATO punon çdo ditë me ushtrinë serbe, mban trajnime dhe manovra. Sipas Osmanit, ashtu si Rusia, Serbia shkel vlerat kryesore të NATO-s, siç është mbrojtja nga forcat autoritare dhe rregullat bazike të së drejtës ndërkombëtare.
Serbia lëre që është larg NATO-s, por as nuk mund të ëndërrojë që një ditë që të jetë pjesë e NATO-s. Serbia vetë është kundër vlerave të NATO-s, nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri që të anëtarësohet në NATO. Pra është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO sepse është kundër NATO-s.
Pavarësisht se nuk ka shprehur aspirata për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore, Serbia bën pjesë në Programin e Partneritetit për Paqe dhe Beogradi është anëtar i Këshillit të Bashkëpunimit Euroatlantik (EAPC), i cili synon bashkëpunimin politik mes shteteve anëtare të NATO-s dhe atyre të Partneritetit.
Kushdo që e konsideron Serbinë si shtet që është afër NATO-s, nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviçit, e cila është njëjtë sot, siç ka qenë edhe para disa dekadave.
Në Kosovë, vazhdimisht autoritetet kanë shprehur aspiratën e tyre për t’u anëtarësuar në NATO dhe fillimisht po kërkojnë që të bëhen pjesë e Programit për Partneritet për Paqe, program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, i krijuar më 1994-ën u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim.
Partneriteti për Paqe përfshin shumë fusha të aktivitetit të NATO-s, si puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë e mjedis. Në përgjithësi janë afro 1 mijë e 600 aktivitete.
Pikërisht, në kuadër të këtij programi, më 1999-ën, disa shtete dërguan forca paqeruajtëse Kosovë, në kuadër të misionit të aleancës në Kosovë, KFOR. Në Kosovë ishin vendosur rreth 50 mijë ushtarë nga 36 vende. 30 mijë prej tyre ishin të shteteve të NATO-s. Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.700 trupa në Kosovë, përfshirë forcën rezervë.