Tryeza “Harku Opozitar Euroatlantik”, Basha: Po dëmtohet demokracia!

vovalbania March 20, 2024 0 koment 3 Mund të lexoni në minuta.
Tryeza “Harku Opozitar Euroatlantik”, Basha: Po dëmtohet demokracia!

Gjatë tryezës së dialogut “Harku Opozitar Euro-Atlantik”, të organizuar nga Partia Demokratike zyrtare që drejton e ku mes të pranishmëve ishin edhe ish-presidenti Bamir Topi, Preç Zogaj e Spartak Ngjela, Lulzim Basha tha se “interesat e shqiptarëve rrezikojnë t’iu nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale”.

Sipas Bashës, tryeza e dialogut me gjithë faktorët politikë, partitë politike opozitare, mbahet si një këmbanë jo për interesat e partive politike që përfaqësojnë, por për interesat e shqiptarëve.

Sot ndodhemi më pak se një vit nga data fillestare e caktimit të zgjedhjeve, sipas Kodit Zgjedhor dhe në një moment tërësisht të parapërgatitur nga një pjesë tjetër e politikës, për t’i mohuar shqiptarëve, përfitimet e një reforme të vërtet zgjedhore.

Nesër është afati i fundit i komisionit të Reformës Zgjedhore dhe nuk është e rastësishme që kjo tryezë dialogu me gjithë faktorët politikë, partitë politike opozitare, mbahet sot pikërisht si një kambanë jo për interesat e partive politike që përfaqësoni, por për interesat e shqiptarëve që edhe një herë rrezikojnë t’i nënshtrohen interesave të ngushta personale të atyre që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 përmbysën balancën institucionale, përqendruan pushtetin dhe në këtë mënyrë dëmtuan jo pak funksionimin e demokracisë, llogaridhënien politike, rolin e parlamentit dhe vetë përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

Detyra jonë në një situatë normale është hartimi ose shpalosja të një altefnative të plotë dhe të besueshme qeverisëse. Po përgjegjësia për të zgjedhur atë, apo për të vazhduar për t’u qeverisur nga monarkët e posttranzicionit, është e qytetarëve shqiptarë. Por nuk jemi akoma aty. Nuk jemi akoma aty sepse për shkak të 2008-ës qytetarët e kanë të pamundur të finalizojnë vullnetin e tyre. Sepse siç e kemi parë zgjedhje pas zgjedhjesh, një jo shumicë qytetarësh, kthehet në një shumicë politike qeverisëse. Legjitimiteti i pushtetit është thellësisht i cënuar.

Ish-presidenti Bamir Topi u shpreh se prania e tij në mbledhje ishte si moderator, jo si pjesë e një organizate politike. Marrëveshjen e vitit 2008, e cilësoi si pikënisjen e dëmtimit të balancave politike mes institucioneve në vend.

E pranova me kënaqësi ftesën e Bashës. Dua të sqaroj statutin tim në këtë tryezë, nuk jam pjesë e partive politike. Por për këtë çështje kam pasur rastin të njoh aktorët, protagonistët e rrënimit të themeleve të shtetit, nga pozicioni i Kreut të Shtetit në 2008.

Eshtë detyrim qytetar, intelektual, pasi zgjedhjet vërtetë realizohen si konkurrencë mes partive politike, por ata që janë burim i demokracisë janë njerëzit. Një zë i lirë individual është i rëndësishëm. Prilli i 2008 erdhi shumë shpejt, pas një ngjarje tragjike, e kam fjalën për shpërthimin e Gërdecit. Kujtoj mirë një kryeministër në hall, një mazhorancë në hall, për përgjegjësinë dhe uljen e kredibilitetit si në mjedisin politik edhe në atë ndërkombëtar. Papritur vijën komunikime të nëndheshme të një marrëveshjeje të errët dhe okulte që paralajmëronte një shpërthim tjetër, atë të themeleve të shtetit, që parashikohej në Kushtetutë.

Pas komunikimeve pashë që ishte një mur i lartë i ndërtuar nga njeriu në hall dhe nga tjetri që aspironte të ndërtonte pushtetin e tij të ardhshëm mbi dramën që po konsumohej. Paralajmërimin e parë e bëra më 15 prill 2008 duke thënë çdo të ndodhte pas atij ndryshimi. Ftoj të gjithë politikanët t’i rikthehen marrëveshjes, e cila është komplekse dhe shumëdimensionale. Dobësoi rolin e presidentit dhe prishi balancat institucionale.

Sot kemi partitë politike të protagonistëve që sot konsiderohen si kazerma. Listat e deputetëve vijnë me firmën e kryetarit, kuvendi uli ndjeshëm cilësinë e tij në përfaqësim dhe rolin e tij.

Preç Zogaj tha se duhet institucionalizimi i opozitës, duke përgatitur një paketë të plotë kërkesës për reformat zgjedhore.

Do të ishte fatkeqësi që pas asaj që ndodhi më 2008-ën të kthehemi sërish te pika ku kryetari vendos se cili do të jetë deputet.

Zogaj i bëri ftesë dhe deputetëve mbështetës të “Rithemelimit” të jenë pjesë e këtij bashkimi.

Në zgjedhjet e ardhshme të shkojmë me një sistem ku vlerësohet çdo votë dhe ku opozita të vijë në pushtet me një shumatore votash të partive opozitare, që mundësojnë rotacionin politik.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65697 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE