Gjimshiti: Mund të bëjmë surprizën në Gjermani, kemi frymën e duhur! Silvinjo: Kili test shumë i rëndësishëm…
Trajneri Silvinjo foli sot në konferencë shtypi për miqësoren me Kilin, që do të zhvillohet në Parma të premten, në orën 20:45. Braziliani e vuri theksin te rëndësia e kësaj ndeshjeje, edhe pse testuese.
Sipas trajnerit të kuqezinjve, Kili është kundërshtar shumë i fortë dhe do të tregojë shumë gjëra. Ai pranoi se Broja dhe Manaj mund të luajnë së bashku në formacion, kurse për listën zyrtare të Europianit u shpreh se nuk e mendon aspak aktualisht.
Bashkë me trajnerin Silvinjno doli para gazetarëve edhe kapiteni Berat Gjimshiti, i cili mes të tjerash theksoi se Shqipëria ka frymë shumë pozitive, ka cilësi në skuadër dhe mund të bëjë surprizën në Euro 2024.
“E rëndësishme është që ekipi të punojë bashkë, si në lojën difensive, ashtu dhe në atë ofensive. Janë dy aspekte fondamentale. Do të jetë bukur të shikojmë gjithë ata shqiptarë që të na mbështesin në stadium, sepse në Itali ka shumë shqiptarë. Jemi shumë lojtarë që luajmë këtu dhe e dimë si është futbolli në Itali.
Italia ka historinë e vet, çdo kompeticion është aty, Europian dhe Botëror. Luajmë me skuadra të forta, por ne kemi një frymë jashtëzakonisht të mirë në skuadër, kemi cilësi dhe mund të bëjmë ndonjë surprizë.
Nuk e kemi mendjen shumë tek Europiani. Po mendojmë për këto ndeshje, edhe pse janë miqësore. Janë kombëtare të mëdha dhe kemi respekt.
Aleksis Sançez është lojtar shumë i mirë, duhet ndihma e gjithë ekipit për ta ndalur. Por një skuadër nuk është vetëm një lojtar. Ai ka bërë mirë kudo ku ka luajtur.
Diçka shumë e bukur po ndërtohet për futbollin në Shqipëri, është një hap shumë i rëndësishëm për të gjithë futbollistët. Do të ketë të rinj më të mirë se ne, që do ta çojnë Shqipërinë më lart”, – tha kapiteni kuqezi mes të tjerash.