SHBA, presidenti Joe Biden fal edhe 6 miliardë dollarë kredi studentore!

vovalbania March 21, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
SHBA, presidenti Joe Biden fal edhe 6 miliardë dollarë kredi studentore!

6 miliardë dollarë kredi studentore do të anulohen për 78 mijë persona me vendim të presidentit amerikan. Me këtë, vlera e përgjithshme e kredive studentore të anuluara nga administrata Biden arrin në pothuajse 150 miliardë dollarë. Vitin e kaluar, demokrati Biden u zotua se do të gjente mënyra të tjera për të lehtësuar borxhin dhe kjo pasi në qershor, Gjykata e Lartë bllokoi planin e tij të gjerë për anulimin e 430 miliardë dollarëve në kredi studentore.

Në grupin e fundit të personave që u janë anuluar kreditë studentore gjenden punonjës në shërbimet publike, si mësuesit, infermierët dhe zjarrfikësit, të cilët kanë plotësuar kriteret e Programit për Faljen e Kredive të Shërbimit Publik të krijuar në vitin 2007, me qëllim që të falen kreditë studentore të amerikanëve që punojnë në shërbimin publik. Biden u shpreh:

Këta punonjës të shërbimit publik kanë vendosur që në karrierën e tyre t’iu shërbejnë komuniteteve të tyre, por për shkak të dështimeve të administratave të kaluara, nuk u ndihmuan ashtu siç e parashikon ligji.

Deri në qershor të vitit të kaluar, rreth 43.4 milion kredimarrës të kredive studentore në SHBA, kishin një borxh të përbashkët në vlerë prej 1.63 trilion dollarësh, sipas web-faqes për Ndihmë të Studentëve Federalë. Kreditë për edukim të lartë janë trefishuar që nga kriza financiare e vitit 2008.

Normat e larta të interesit dhe këstet e larta, po nënkuptojnë se të rinjtë amerikanë kanë vështirësi që të blejnë shtëpi apo të bëjnë investime të tjera dhe për vite të tëra, demokratët i kishin bërë presion qeverisë amerikane që të falte ato kredi. Republikanët gjerësisht kundërshtojnë politika të tilla.

Joe Biden po kërkon që të fitojë një mandat të dytë gjatë zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024 dhe për këtë ka nevojë që të fitojë votat e të rinjve.

Nuk do të dorëzohem dhe do të përdor të gjitha mjetet që kam në dispozicion, që sa më shumë amerikanëve t’ua lehtësoj barrën e kredive studentore e të ndërtoj një ekonomi të fortë.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se vendimi i fundit i Biden-it, bëri që shifra e përgjithshme e faljes së kredive studentore në administratën Biden të arrijë në 144 miliardë dollarë dhe kreditë studentore u janë falur pothuajse 4 milion amerikanëve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65805 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE