Mbi 140 viktima nga sulmi në Moskë/Putin: Kush qëndron pas masakrës do ta paguajë!
143 viktima nga sulmi i mbrëmshëm në Moskë ku vazhdojnë kërkimet në rrënojat e sallës së koncerteve të sulmuar nga terroristë taxhikë të ISIS-it. Mediat ruse raportojnë se gjatë marrjes në pyetje, njëri prej të arrestuarve vendosi të bëhej pjesë e sulmit, i bindur nga leksionet e një predikuesi. Teksa hodhi poshtë çdo lidhje me Ukrainën, ndër të tjera, konfirmoi se do të paguhej 5 mijë euro dhe se gjysmat i mori paradhënie.
Ndërkaq, sipas mediave ukrainase, në këto çaste, autoritetet ruse duhet t’iu bëjnë ballë edhe një serie sulmesh kibernetike ndaj serverave të institucioneve kryesore të Rusisë. Komisioni Europian e NATO ishin mes atyre që dënuan sulmin e mbrëmshëm në Moskë. Putin paralajmëroi se kush qëndron pas masakrës do ta paguajë, si dhe e shpalli të nesërmen ditë zie kombëtare. Teksa vuri në dukje se autorët tentuan të arratiseshin drejt Ukrainës, u shpreh:
Sulmi me armë, akt terrorist barbar, të gjithë sulmuesit janë gjetur e përgjegjësit do të ndëshkohen. Armiqtë tanë nuk do të na ndajnë.
E teksa Rusia përballet me emergjencën dhe shokun e masakrës tronditëse, nuk vonojnë analizat që kanë në fokus Vladimir Putinin. Rreth presidentit rus, Kremlini ka ngritur mitin e një lloji “shpëtimtari”, i cili ka çimentuar stabilitet dhe siguri, pas kaosit të lidhur me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Por sulmet e përsëritura terroriste nën drejtimin e vendit prej tij, në gati 25-vjet, e dëmtojnë thellë narrativën e krijuar për Putinin si “shpëtimtar”.
Në fakt, analistët besojnë se pamjet e shpërthimeve, zjarrit dhe viktimave, tregojnë për një lider, fokusi i të cilit në mbrojtjen e regjimit të tij e pozitës në pushtet, po paguhet shtrenjtë me mungesën e sigurisë për popullin. Kritikët e Putinit kanë thënë që në më shumë se tri dekada pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia vazhdon të jetë shtet që i vendos interesat e veta përpara atyre të qytetarëve.
Shembulli më i mirë është lufta kundër Ukrainës e po dalin fjalët e ekspertëve që parashikonin dëmtim të sigurisë së Rusisë, në rast se Putin sulmonte vendin fqinj. Dhe njohësit e çështjes janë të mendimit se “shteti policor i Putinit po lë një Rusi të cënueshme prej sulmeve terroriste”.
Vëzhguesi politik rus, Dmitry Kolezev në një postim në X, shkruan:
Sulmi i 22 marsit në sallën e koncerteve Crocus City, në periferi të Moskës duket si dështim i madh nga ana e shtetit. Sasi të mëdha të parave shpenzohen në siguri, por në realitet, kjo është siguria që ofrohet. Në rrethana të tjera, opozita politike dhe gazetarët e pavarur do t’i bënin presion qeverisë për të zgjidhur këtë problem, për të garantuar që forcat e sigurisë e bëjnë punën e tyre dhe që paratë nuk shpenzohen keq. Por, fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk ka akses në televizionin kombëtar, ku të mund të ngrejnë zërin për këtë gjë.
Kritikët besojnë se Putin ka shfrytëzuar një sistem zgjedhor krejtësisht të kontrolluar prej Kremlinit, për të portretizuar veten si lider i domosdoshëm i një vendi thellësisht të ndarë.