Vlerësimi i S&P, ministri Mete: Forcon pozitat e Shqipërisë, sjell përfitime për ekonominë!

vovalbania March 23, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Vlerësimi i S&P, ministri Mete: Forcon pozitat e Shqipërisë, sjell përfitime për ekonominë!

Në një deklaratë për mediat, ministri i Financave, Ervin Mete shpjegoi efektet dhe përfitimet për Shqipërinë të vlerësimit për herë të parë nga Agjencia Ndërkombëtare “Standard&Poor’s” në kategorinë BB-. Ky vlerësim vjen 6 muaj pasi agjencia ndërkombëtare rishikoi në rritje perspektivën e Shqipërisë nga e qëndrueshme, në pozitive. Gjithashtu është një vlerësim i përpjekjeve për sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, forcimin e financave publike dhe efektivitetin e politikave strukturore.

Rritja e vlerësimit nga Standard&Poor’s merr një rëndësi edhe më të veçantë në kushtet e një situate sfiduese të ekonomisë globale, pasi një pjesë e konsiderueshme vendesh kanë patur rënie të vlerësimit nga agjencia ndërkombëtare. Ky vlerësim nënvizon besimin në aftësinë tonë për të përballuar sfidat ekonomike, duke forcuar në të njëjtën kohë bazat financiare. Ai përbën një certifikim të strategjisë sonë të rritjes dhe praktikave të menaxhimit të financave publike.

Ministri Mete shpjegoi se “vlerësimi forcon pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe sjell përfitime konkrete për ekonominë e vendit”.

Tani, vendi do të perceptohet më pozitivisht nga investitorët e huaj për të investuar në Shqipëri dhe kjo pritet të përkthehet në investime të huaja më të larta, si edhe kushte më të lehtësuara për huamarrjen e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare. Ky përmirësim pritet po ashtu të reflektohet dhe në tregun vendas, në kosto më të ulëta të financimit për bankat, bizneset e individët. Ngjitja me një kategori vlerësimi nga Standard&Poor’s konfirmon situatën e mirë që po kalon ekonomia e vendit, qëndrueshmërinë e financave publike dhe pritshmërinë pozitive për reformat e ndërmarra.

S&P nënvizon se ky përmirësim i vlerësimit vjen si një njohje e rezistencës së fortë ekonomike të Shqipërisë dhe menaxhimit të matur të financave publike në përballje me një sërë sfidash të njëpasnjëshme.

Shqipëria ka treguar në vijimësi aftësinë e saj për të përballuar goditjet, vlerëson Standard&Poor’s dhe pavarësisisht këtyre sfidave, ekonomia është rritur me një mesatare mbresëlënëse prej 5.8% në vit gjatë tre viteve të fundit, duke përmirësuar njëkohësisht parametrat e financave publike.

Treguesit makroekonomikë janë përmirësuar ndjeshëm, papunësia është në nivelet më të ulëta historike, inflacioni është rikthyer në objektiv përpara pritshmërive, pozicioni i jashtëm është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, investimet e huaja direkte kanë arritur nivelet më të larta historike, ndërsa borxhi publik zbriti në 59.2% në fund të vitit 2023.

Vlerësimi më i fundit i agjencisë ndërkombëtare nxit vendosmërinë tonë për të synuar një rritje më të lartë ekonomike dhe arritjen e objektivave ambicioze të zhvillimit, si dhe forcimin e mëtejshëm të financave publike.

Avancimi në procesin e integrimit europian është një shtysë e rëndësishme për të përshpejtuar ritmin e reformave dhe plani i rritjes i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor, që shoqëron ndërmarrjen e reformave të rëndësishme, presim të shërbejë po ashtu si mbështetje solide në këtë drejtim.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65820 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE