Arrestimi i Jorgo Goros, mediat greke e komentojnë gjerësisht!
Mediat greke nuk kanë humbur asnjë minutë kohë, por menjëherë i kanë bërë jehonë lajmit të arrestimit të Jorgo Goros, kreut në detyrë të Bashkisë Himarë, i akuzuar nga SPAK-u për “Shpërdorim detyre” lidhur me tjetërsimin e dy pronave. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Goro u prangos në Dhërmi.
“Arrestohet Jorgo Goro, kryebashkiaku i “zgjedhur” i Ramës në Himarë”. Ky është titulli i portalit “Newsbomb” e që ndër të tjera vë në dukje se “ky arrestim vjen pas shumë ankesave për “Shpërdorim detyre” dhe “Tjetërsim prone”. Në shkrim theksohet:
Bëhet fjalë për shitjen e një prone me sipërfaqe 5 mijë e 512 m2.
“Arrestimi i Jorgo Goros u bë pas denoncimit të Fredi Beleri”, shkruan gazeta “Parapolitika”.
Ndërkaq, në një reportazh të realizuar nga televizioni publik grek ERT, për Jorgo Goron thuhet se qëndroi tre mandate në krye të Bashkisë së Himarës e më tej vihet në dukje se pas zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, ai “ushtron detyrën e kreut të bashkisë Himarë, duke zëvendësuar kryebashkiakun e zgjedhur Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg i dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë me 2 vjet heqje lirie, me akuzën e korrupsionit në periudhën parazgjedhore”. Reportazhi nënvizon:
Ishte vetë Beleri, i cili në fund të vitit të kaluar bëri padi ndaj Jorgo Goros në SPAK duke e akuzuar për shpërdorim detyre.
Një tjetër reportazh për arrestimin e Goros u përgatit nga TV SKAI, po në Greqi thuhet:
Le të shohim nëse po dalin akoma më shumë hollësi në të gjithë këtë proces apo nëse Edi Rama po sakrifikon një njeriun e tij, të zgjedhurin e tij, në mënyrë që të zbusë reagimet e krijuara nga mbajtja në burg e Fredi Belerit.
Në portalin e saj, gazeta Protothema, gjithashtu komenton zhvillimin e një dite më parë:
Krijon përshtypje fakti që ky zhvillim, me arrestimin e Jorgo Goros, i cili deri më tani nuk kishte pranuar të jepte dorëheqjen, i lehtëson manipulimet e Ramës, ndërkohë që gjykata shqiptare kishte theksuar se është i paligjshëm qëndrimi i tij në pozicionin e kryetarit të Bashkisë Himarë.