Silvinjo: Jemi skuadër e re dhe e dimë forcën tonë, do ketë ndryshime me Suedinë!
Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, doli sot sërish në konferencë shtypi, ku foli për sfidën e nesërme me Suedinë, që luhet në Stokholm, në orën 19:00. Është testi i dytë, që i shërben stafit teknik për të përgatitur skuadrën për Euro 2024.
Braziliani ka theksuar se ndeshja me Kilin nuk ishte për 3-0 dhe ka pohuar se me Suedinë do të ketë 2-3 ndryshime. Trajneri kuqezi shpjegoi se Shqipëria është një skuadër e re dhe tani duhen bërë vlerësime të kujdesshme për lojtarët që mund të ingranohen.
“Momenti ynë tani është për të bërë vlerësime, për të mbajtur shënime dhe për t’u përgatitur si duhet për Europianin. Kishim dy miqësore, ku duhet të provojmë sa më shumë lojtarë, këtë kemi kërkuar.
Patjetër që lojtarët mendojnë për listën, por njëkohësisht për edhe të dhënë maksimumin në lojë. Suedia është një kundërshtar shumë i fortë. Na pret një ndeshje e vështirë, kundër një skuadre me histori dhe me nivel të lartë.
Lojtarët janë të motivuar dhe të karikuar. Ne e dimë forcën tonë dhe duhet të përmirësohemi, por lojtarët janë shumë të motivuar, sepse duhet të garantojnë vendin në 23-she. Na intereson rezultati gjithmonë, por duhet edhe të provojmë lojtarët.
Shqipëria nuk është një skuadër gati prej disa vitesh. Kemi një skuadër të re dhe duam që të ingranojmë një apo dy lojtarë. Kemi lojtarë me pak ndeshje me Kombëtaren, si Seferi, Mihaj, Ramadani, Mitaj dhe të tjerë. Nuk është e lehtë, është një situatë komplekse, nuk ka shumë kohë.
Na duhet të shohim çdo lojtar të veçantë, në ndeshje dhe në stërvitje, në shumë elementë. Skuadra nuk është gati për 4 apo 5 ndryshime. Po, nesër mund të ketë ndryshime, ndoshta 2-3 do të jenë në fushë.
Me Kilin nuk ishte një ndeshje për 3-0, por futbolli ka edhe nga këto situata. Gabimet nuk i shohim në reparte të veçanta, por si skuadër. Do të shohim lojtarët që janë më në formë dhe do të vendosim”, – tha Silvinjo mes të tjerash.
Bashkë me trajnerin Silvinjo doli në konferencë shtypi edhe mesfushori Ylber Ramadani, i cili mes të tjerash theksoi: “Janë si ndeshje të Europianit këto miqësore, do të bëjmë maksimumin. Nuk kemi luajtur mirë me Kilin dhe do të shohim qasjen që do të kemi nesër.
Do të futemi me seriozitet në fushë, Suedia është e fortë. Besoj se co të bëjmë një ndeshje shumë serioze. Ndoshta gjatë 15 minutave të para e morëm pak lehtë ndeshjen me Kilin, nesër duhet të jetë ndryshe”.