Masakra e Moskës, deri tani 8 të arrestuar! Edhe Europa e alarmuar nga frika e sulmeve nga ISIS-K!

vovalbania March 26, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Masakra e Moskës, deri tani 8 të arrestuar! Edhe Europa e alarmuar nga frika e sulmeve nga ISIS-K!

Autoritetet ruse arrestuan personin e tetë të dyshuar për lidhje me sulmin me 139 viktima në Moskë. Gjykata në Moskë i caktoi burrit me origjinë nga Kirgistani por shtetas rus masën e paraburgimit, duke e akuzuar se kishte lëshuar një banesë me qira për katër sulmuesit.

Para gjykatës ai tha se e kishte bërë pa e ditur se kush ishin ata. Në Taxhikistan, prej nga dyshohet se janë agresorët, hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët e tyre.

Ndonëse sulmi i 22 marsit në një sallë koncertesh është marrë përsipër nga “Shteti Islamik, Provinca e Khorosanit”, Kremlini vijon të akuzojë Kievin për organizimin e tij. Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë dhe një aleat i ngushtë i Presidentit Vladimir Putin, tha se është e qartë se Ukraina qëndron pas sulmit të së premtes në Sallën Crocus të Moskës.

Por, për presidentin ukrainas Volodimir Zelensky, Putin është një krijesë e sëmurë e cinike që sipas mendjes së tij të gjithë janë terroristë përveç atij.

Shërbimet inteligjente ruse shkojnë më tej duke akuzuar edhe Shtete e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për përfshirje. Shefi i agjencisë ruse të sigurisë Alexander Bortnikov u shpreh se 4 sulmuesit  synonin të shkonin në territorin e Ukrainës, ku do të priteshin si heronj.

Si kundërpërgjigje e masakrës së 22 marsit, Rusia nisi një sulm të ri me raketa në Odessa, ku u plagosën 3 gra.

Ndërkohë edhe Europa është e alarmuar nga frika e sulmeve terroriste nga ISIS-K.

Ministrja gjermane e Brendshme Nancy Faeser deklaroi se ky grup aktualisht përfaqëson kërcënimin më të madh islamik në Gjermani. Franca rriti gatishmërinë në niveli më të lartë, ndërsa udhëheqësit e ISIS-K kanë kërcënuar se do të ketë sulme hakmarrëse kundër Suedisë, Holandës dhe Danimarkës për shkak të djegies së Kuranit në këto vende, shkruan Dojçe Vele.

Sulmi i fundit i marrë përsipër nga kjo organizatë terroriste është ai i vrasjes së 95 personave  në qytetin iranian Kerman më 3 janar 2024.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65686 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE