Takimi i 15-të i Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri BE-Shqipëri/ Vlerësohet progresi!

vovalbania March 26, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Takimi i 15-të i Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri BE-Shqipëri/ Vlerësohet progresi!

Në datat 20 dhe 21 mars, u zhvillua takimi i 15-të i Nënkomisionit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Përfaqësues nga Komisioni Evropian dhe autoritetet shqiptare diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në fushën e reformës në drejtësi, anti-korrupsionit, të drejtave themelore, azilit dhe migracionit, politikës së vizave, luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër pastrimit të parave dhe kundër terrorizmit.

Takimi u bashkëkryesua nga Alberto Cammarata, Shef i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian (Komisioni) dhe znj. Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Antikorrupsionin dhe Administratën Publike më 20 mars dhe nga Besfort Lamallari, Zëvendësministër në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë më 21 mars.

Komisioni vlerësoi progresin e vazhdueshëm në zbatimin e reformës në drejtësi. U theksua rëndësia e miratimit në kohë të masave të nevojshme të tranzicionit dhe përfundimi në kohë i procesit të rivlerësimit të përkohshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu) në apel, pa cenuar cilësinë e shqyrtimit gjyqësor, si dhe nevoja e referimit sistematik të çështjeve të vetingut me elemente kriminale në prokurori.

Komisioni rikujtoi nevojën për konsolidimin e vazhdueshëm të pavarësisë dhe integritetit të gjyqësorit, si dhe përpjekjet urgjente për të reduktuar numrin e çështjeve të pazgjidhura në të gjitha nivelet e gjykatave.

Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përvetësuar standardet e larta të vendosura nga vetingu për punën e institucioneve vetëqeverisëse për gjyqësorin. Komisioni theksoi nevojën për të garantuar një proces përzgjedhjeje plotësisht transparent dhe konkurrues për rinovimin e vazhdueshëm të anëtarësimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioni vlerësoi rezultatet e vazhdueshme të organeve të specializuara për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe bëri thirrje që këto përpjekje të intensifikohen më tej. Komisioni kërkoi zbatimin e konsoliduar dhe rritjen e efikasitetit në parandalimin e korrupsionit, veçanërisht në sektorët vulnerabël. Komisioni kujtoi gjithashtu nevojën për të trajtuar rekomandimet e pazgjidhura të GRECO-s.

Lidhur me të drejtat themelore, Komisioni nënvizoi nevojën për progres në fushën e lirisë së shprehjes, lirisë së medies dhe pluralizmit, si dhe përafrimin me acquis të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Komisioni theksoi rëndësinë e trajtimit të sfidave të vazhdueshme që lidhen me të drejtat pronësore, duke përfshirë korrupsionin. Komisioni përsëriti nevojën për miratimin e shpejtë të legjislacionit të mbetur zbatues për mbrojtjen e pakicave kombëtare në përputhje me parimin e vetë-identifikimit dhe zbatimin e angazhimeve për përfshirjen e romëve, të marra në nivel ministror.

Në fushën e punëve të brendshme, Komisioni vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm dhe bashkëpunimin operacional me agjencitë e BE-së, në veçanti me Frontex dhe Europol, si dhe me shtetet anëtare të BE-së, si dhe zbatimin e mirë të Planit të Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit. Komisioni e nxiti Shqipërinë që të forcojë bashkëpunimin me Agjencinë e BE-së për Drogën dhe të ngrejë një observator kombëtar të drogës, si dhe një sistem paralajmërimi të hershëm.

Komisioni u kërkoi gjithashtu autoriteteve shqiptare të krijojnë dhe të fuqizojnë më tej zyrën e rikuperimit të aseteve. Komisioni u kërkoi më tej autoriteteve shqiptare që të vazhdojnë konsultimin me BE-në për aktet nënligjore që lidhen me ligjin për kultivimin e kanabisit për përdorime mjekësore dhe industriale. Shqipëria përsëriti angazhimin e saj për përdorimin sa më të mirë të platformës së re elektronike për historikun dhe mbledhjen e të dhënave mbi krimin e organizuar, krimet e rënda dhe korrupsionin.

Lidhur me migracionin, Komisioni vlerësoi progresin e mirë të Shqipërisë në zbatimin e Planit të Veprimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor të miratuar në dhjetor 2022. Komisioni më tej kërkoi vendosjen e bashkëpunimit për ripranimin me vendet kryesore të origjinës, për të garantuar kthime efektive të personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë.

Lidhur me azilin, Komisioni i kërkoi Shqipërisë që të vazhdojë përpjekjet për të zbatuar ligjin për azilin dhe në veçanti të garantojë qasjen e duhur në procedurat e azilit. Komisioni vlerësoi ndarjen e përmirësuar të të dhënave mbi migracionin dhe azilin me shërbimet e BE-së.

Shqipëria vazhdon të përmbushë kërkesat për liberalizimin e vizave dhe ka bërë progres me trajtimin e rekomandimeve të vitit të kaluar.

Megjithatë, Komisioni i kërkoi Shqipërisë që ta harmonizojë më tej politikën e saj të vizave me listën e BE-së të vendeve të treta që kanë nevojë për viza për në BE dhe kujtoi se heqja sezonale e vizave nuk është në përputhje me acquis të BE-së.

Autoritetet shqiptare duhet të vazhdojnë të trajtojnë numrin e lartë të kërkesave të pabazuara për azil të shtetasve shqiptarë në vendet anëtare të BE-së dhe në vendet e lidhura me sistemin Schengen.

Komisioni vlerësoi përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar bashkëpunimin dhe për të dhënë rezultate të prekshme me vendet më të prekura të BE-së. Komisioni vlerësoi heqjen e Shqipërisë nga lista gri e Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF).

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65738 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE