“Rezoluta e OKB-së pengoi bisedimet për pengjet”, Amerika kundër Izraelit!

vovalbania March 27, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
“Rezoluta e OKB-së pengoi bisedimet për pengjet”, Amerika kundër Izraelit!

Deklarata e Izraelit se një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila kërkoi armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës i ka penguar bisedimet për lirimin e pengjeve, nuk është e saktë dhe e drejtë. Kjo u theksua nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, i cili para gazetarëve mbajti një qëndrim të prerë:

Deklaratat e zyrtarëve izraelitë se Hamasi e hodhi poshtë propozimin e fundit të Izraelit në bisedimet për lirimin e pengjeve, për shkak të rezolutës së OKB-së nuk ishin të sakta në pothuajse çdo aspekt dhe gjithashtu ishin të padrejta ndaj pengjeve e familjarëve të tyre.

Për Hamasin e shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, u shpreh:

Grupi radikal palestinez e përgatiti përgjigjen ndaj propozimit të Izraelit për lirimin e pengjeve para se të votohej rezoluta e Këshillit të Sigurimit të hënën dhe jo pas saj.

Ndërkaq, Miller shtoi se SHBA-të do të vazhdojnë të punojnë në përpjekje për të mundësuar lirimin e pengjeve. Në fillimjavë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit e Hamasit, në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit, Netanyahu akuzoi SHBA-të se u “tërhoqën” nga qëndrimi i tyre “parimor” duke lejuar miratimin e rezolutës, pa kërkuar që armëpushimi të jetë i lidhur me lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gaza.

Në shenjë proteste ndaj rezolutës, Netanyahu anuloi vizitën e planifikuar në Uashington të një delegacioni izraelit të nivelit të lartë. Një ditë më vonë, pra dje, ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha për Army Radio se “rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gaza, e nxiti Hamasin ta refuzojë propozimin e Izraelit”.

Rreth 1 mijë e 200 persona u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen 7 tetorin e kaluar kur pjesëtarët e Hamasit kryen një sulm të beftë në jug të Izraelit, duke e nxitur këtë luftë. Besohet se Hamasi ende po  mban rreth 100 pengje izraelite.

Më shumë se 32 mijë persona janë vrarë në territorin e rrethuar palestinez dhe mbi 74 mijë të tjerë janë plagosur, referuar Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Por, ky dikaster nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur numëron viktimat. Sipas ministrisë, dy e treta e të vrarëve janë gra e fëmijë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65697 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE