Gati grupi i punës për ligjet që kërkojnë shumicë/Zgjedhorja mes përparësive!

vovalbania March 28, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Gati grupi i punës për ligjet që kërkojnë shumicë/Zgjedhorja mes përparësive!

Ditën e sotme u konstituua grupi i punës në Komisionin e Ligjeve, ku do të diskutohen ligjet, që kërkojnë 84 vota në Kuvend. Grupi përbëhet nga anëtarë të maxhorancës dhe opozitës, pas konsensusit PS-Rithemelim. Për Partinë Socialiste emrat janë Klotilda Bushka, Damian Gjiknuri e Toni Gogu. Opozita u përfaqësua nga deputetët Oerd Bylykbashi, Dhurata Çupi dhe Erisa Xhixho.

Grupi i punës është pjesë e dakordësisë së arritur mes maxhorancës dhe grupit parlamentar të PD-së për dhënien fund të bllokimit të Kuvendit dhe ngritjen e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita.

Në mbledhjen e fundit, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të krijohet hapësira dhe kushtet e nevojshme nëpërmjet një mekanizmi të barabartë dialogu mes shumicës e pakicës parlamentare, që në mënyrë transparente, trajton me qëllim gjetjen e konsensusit, çështje që kërkojnë diskutim politik konstruktiv e gjithëpërfshirës, ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe legjislacionin e nevojshëm për ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Damian Gjiknuri u shpreh:

Sot filloi puna për të punuar me konsensus. Do të hulumtojmë modalitetin e punës për ligjin zgjedhor. Ne do të komunikojmë. Amnistia është e tejkaluar, është në seancë. Nuk e kemi konsideruar pasi është në një fazë më të avancuar. Thelbi është te çështje që kërkojnë konsensus në interes të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Formati është dialog. Amnistia duhet të marrë votat e nevojshme, ka një dialog mes grupeve parlamentare.

Konsultimet nuk janë vrarë. Opinionet dhe rekomandimet konsiderohen nëse do të gjejmë dakordësi mes gjithë faktorëve politikë. Janë të përfshirë edhe deputetë të tjerë nëse duan të marrin pjesë me këtë çështje. Janë pjesë e këtij grupi sa herë diskutohen. Komisioni e mbaroi afatin dhe nuk arriti gjë. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat që janë në këtë grup e jashtë grupit. Edhe grupi i Bashës ka të drejtën të marrë pjesë në mbledhje. Do të këtë transparencë kur të ketë një modalitet pune.

Oerd Bylykbashi:

Prioritet për opozitën dhe grupin e punës është trajtimi i Reformës Zgjedhore. Amnistia Penale nuk ishte çështje që u diskutua. Ajo që ramë dakord është listimi dhe përcaktimi në një mbledhje tjetër të objektit të punës. Do të ndiqen praktikat më të mira. Opozita e ka mbështetur gjithmonë amnistinë. Duhet të shohim zgjidhjet konkrete që të arrijë objektivat. Reforma Zgjedhore ka qenë gjithmonë çështje e vullnetit politik, përveçse detyrim. Do t’i drejtohemi për ekspertizë edhe organizatave ndërkombëtare.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE