Ilir Beqaj në SPAK për t’u njohur me 700 fashikuj të Sterilizimit!

vovalbania March 28, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Ilir Beqaj në SPAK për t’u njohur me 700 fashikuj të Sterilizimit!

Sterilizimi, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndodhet në mjediset e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, aty ku siç mësohet, po njihet me aktet e dosjes sa i takon çështjes. Sipas avokatit të tij, SPAK-u i ka bërë të ditur se Beqaj duhet të paguajë 10 milion lekë për t’u njohur me fashikujt, 700 të tillë.

Avokati tha se të gjithë të pandehurit kanë refuzuar, ndërsa informoi se ish-ministri Beqaj gjendet në ambientet e SPAK-ut e po njihet me aktet e dosjes. Teksa saktësoi se janë 700 fashikuj, theksoi se deri tani, Beqaj është njohur me një pjesë të vogël, në një kohë kur afati përfundon ditën e sotme.

Avokati Ermal Yzeiraj u shpreh:

U përballëm me faturën 10 milion lekë të vjetra vetëm për materialet e skanuara PDF. Eshtë dita e fundit për të shqyrtuar 700 fashikujt. Gjithë të pandehurit e tjerë refuzuan që të paguanin faturën dhe bëmë kërkesë të njihemi me aktet e dosjes fizikisht. Na u dha një afat 24 orësh për të shqyrtuar 700 fashikujt.

Eshtë qesharake t’i kërkosh një pensionisti, siç është Petro Mersini, që të paguajë 10 milion lekë për t’u informuar. Sa i përket besueshmërisë së dokumenteve, ne kemi paraqitur kërkesë te Erjon Bani. Gjyqtari ende nuk e ka zbardhur vendimin. Do të lexojmë aq sa të mundemi.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është zyrtarisht i pandehur për dosjen e koncesionit të Sterilizimit, ndërsa më 18 mars, atij iu komunikua akuza për “Shpërdorim detyre” e sot është “ngujuar” në SPAK. Kujtojmë se për Sterilizimin janë marrë të pandehur edhe 8 persona të tjerë, ndërsa SPAK-u pritet të dorëzojë dosjen në GJKKO, me kërkesën për nisjen e gjykimit.

Ilir Beqaj do të jetë në bankën e të akuzuarve së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili mori koncesionin e Sterilizimit. Të dy janë në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku iu komunikuan edhe akuzat. Zv.ministri akuzohet për “Shpërdorim detyre” ndërsa biznesmeni për “Mashtrim”. Po ashtu, në gjykim do të shkojnë edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të Tenderit të Sterilizimit.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65770 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE