Origjinaliteti dhe muzika unike, Indrit Mesiti: “Të integrosh brenda vetes sa më shumë gjëra që…”
I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin ka qenë artisti i njohur, Indrit Mesiti. Në një intervistë ekskluzive në Top Albania Radio ai ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e tij ndër vite dhe jo vetëm…
Një rrugëtim i një karriere e cila ka nisur 20 vite më parë, çfarë e bënte muzikën e tij aq të veçantë? Cili ishte ndikimi i kujt për ta bërë muzikën tënde kaq unike?
Kam përshtypjen që ishte një bashkim i shumë faktorëve, fillova të studioja piano shumë herët falë babit tim që e shkroi fatin tim që pa filluar. Në fillim nuk e kisha qejf fare për shkak se më ishte imponuar, më bënte që mos ta ndjeja. Filloi të hynte kënaqësia vite më vonë kur fillova të dëgjoja rryma të tjera që nuk ishin muzikë klasike. Kjo më ndihmoi.
Fillova një fazë që doja absolutisht që të eksploroja rryma nga më të ndryshmet, një nga qasjet e para ishte me “The Beatles” pastaj çfarë kaloni në TV. I dëgjoja dhe i asimiloja të gjitha. Nuk kisha gjëra që nuk më pëlqenin. Rryma që nuk kishin lidhje fare me njëra-tjetrën më tërhiqnin.
Artisti prej më shumë se 10 vitesh jeton në Francë dhe sa i përket kombinimit të rrymave dhe origjinalitetit ai shtoi se:
Ky është në fakt parimi i origjinalitetit që mjafton të integrosh brenda vetes sa më shumë gjëra që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kjo çon të gjitha gjasat që të bësh një kombinim të rrymave, kështu mund ta analizoj se çfarë e bëri atë kombinim të veçantë.