3 mijë fidanë të rinj në Prush/Kryebashkiaku Veliaj pjesë e aksionit!
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti socialist, Toni Gogu, iu bashkuan aksionit të mbjelljes së 3 mijë fidanëve të rinj në Liqenin e Prushit, bashkë me tur-operatorë dhe drejtues të federatave sportive që shfrytëzojnë periferinë për aktivitete outdoor.
Veliaj tha se pemët që mbillen sot “janë pajë për qytetin dhe fëmijët”. Nga komuniteti i zonës, kërkoi të mirëmbajë këtë investim të rëndësishëm.
Siç kemi bërë gjithë ato transformime urbane në Tiranë, ëndrra ime është që ta mbyllim këtë punë në Bashkinë e Tiranës duke transformuar edhe pjesën rurale, me natyrën, pyjet dhe parqet. Nëse do të arrijmë të tregojmë se kemi ndryshuar edhe natyrën, parqet, kemi mbjellë pemë, kemi shtuar pëllëmbët e gjelbërimit, ashtu siç kemi bërë transformimin e Tiranës, atëherë do të jetë misioni i përmbushur.
Për të gjithë besimtarët kjo është edhe fundjava e Pashkës, ndaj shpresoj shumë që edhe simboli i mbjelljes së jetës dhe kujtesa e ringjalljes së Krishtit, ndoshta të bëhet me mbjelljen e një peme. Ftoj të gjithë besimtarët që teksa thyejnë vezët, të hapin edhe tokën për të mbjellë një pemë, për të mbjellë një jetë.
Për të gjithë besimtarët myslimanë do të kemi përgatitjet për faljen e Bajramit. Sheshi “Skënderbej” do të jetë në dispozicion me parkingun falas, që të sigurohemi që një vend i mirë ta tregojë çdo ditë që ka vend për të gjithë. Ama, të gjithë duhet t’i japim diçka mbrapsht këtij vendi të mirë, qoftë një fidan, një pemë, dashuri apo një përqafim.
Veliaj theksoi se ekonomia pyjore duhet të shihet me syrin e një ekonomie të mirëfilltë për komunitetin e zonës. Sipas tij, të gjitha parqet zonale që janë rikuperuar falë mbjelljes së pemëve të reja, duhen mirëmbajtur e mbrojtur.
Nëse shkollat dhe komuniteti e kuptojnë që nga këta fidanë prodhohen para dhe ato fidanë të Bashkisë së Tiranës, në pjesën e Liqenit që u dyfishuan pas rikuperimit që u bë me ndërtimet pa leje, kanë prodhuar aktivitete dhe financa pa fund nga kompani, shoqata të ndryshme, nga rrethe të ndryshme turistike dhe sportive, unë do të doja ta shikonim ekonominë pyjore si një ekonomi të mirëfilltë për komunitetin.
Dëgjoj kontrastin e bretkosave në liqen, edhe në fakt ky është edhe kontrasti i jetës sonë të përditshme. Jeta jonë e përditshme ndahet në ata që bëjnë punë dhe në ata që si bretkosat “kuak-kuak-kuak”, japin mendim për gjithçka.
Eshtë shumë kollaj të japësh mendim, por bretkosa nuk i mbolli këto pemë e sado që ajo kënga thotë “ec bretkose, ec”, bretkosa nuk mbjell dot pemë. Bretkosa rri në Facebook dhe komenton, rri në tavolina analistësh, zgjohet vonë, nuk ka ndonjë kontribut real, por vetëm merr nëpër gojë dynjanë.
Ndërkohë, njeriu që është punëtor, e menaxhon punën e tij, biznesin e tij, detyrën e tij, shërbesën e tij, por përtej asaj, bën edhe diçka për komunitetin.