Pashka Katolike, besimtarët festojnë ringjalljen e Krishtit!

vovalbania March 31, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Pashka Katolike, besimtarët festojnë ringjalljen e Krishtit!

Besimtarët katolikë kremtojnë sot festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit. Pashkët paraprihen nga koha parapërgatitore e agjërimit që zgjat 40 ditë e që quhet Kreshmë. Kjo periudhë fillon nga e “Mërkura e Përhime” dhe mbaron të dielën e Palmave, e diela e fundit para ditës së Pashkës.

Gjatë kohës së Kreshmës, përkujtohen ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit, në lutje e në agjërim.

Pas kremtimit të “Udhës së Kryqit, të shtunën besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për bekimin e ushqimit, një tjetër ritual i festës së  Pashkëve. Në shportën me ushqime që përmban tryeza e së dielës së Pashkës, nuk mungon buka e Pashkës, një shishe verë, pak djathë, si dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës. Po ashtu nuk mungon veza e kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe i ripërtëritjes.

Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës në tryezat e familjeve.

Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë e thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.

Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste që simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, e gëzimit dhe e jetës.

Tradita e vezëve ka një zanafillë pagane që vijon edhe sot e kësaj dite e që simbolizon rilindjen e natyrës në stinën e pranverës.

Në tryezën e kremtimit të Pashkëve nuk mungon as mishi i qengjit, një tjetër simbolikë e kësaj feste prej shekujsh tashmë. Karakteristikë e kësaj feste është edhe qumështori, ëmbëlsirë tipike pranverore që përgatitet me vezë dhe shoqërohet me hudhra të njoma.

Kardinali 96-vjeçar shqiptar, Eminenca e tij e Lartë, Ernest Troshan Simoni uroi besimtarët katolikë për festën, të jenë të bashkuar përballë të keqes, duke kujtuar sakrificën e Krishtit, që u kryqëzua dhe mori me vete mëkatet e njerëzimit, për t’u ringjallur e për të rikthyer shpresën te njerëzimi.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65684 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE