316 kompani të huaja ikën nga Shqipëria në vitin 2022!

vovalbania April 01, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
316 kompani të huaja ikën nga Shqipëria në vitin 2022!

Investimet e huaja direkte kanë shënuar një tendencë rritëse si më 2022-shin ashtu dhe në vitin 2023. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, më herët bënë të ditur se në vitin 2022, fluksi i investimeve të huaja ishte 1.37 miliardë euro, me një rritje rekord prej 33%, në raport me vitin e mëparshëm.

Tendenca zgjeruese vijoi dhe më 2023-shin, por me ritme më të ngadalta. Vitin e kaluar, investimet e huaja arritën një tjetër rekord prej gati 1.5 miliardë eurosh, po rritja ishte më e ngadaltë, me 8.7%. Pavarësisht rritjes rekord të investimeve në vitin 2022, numri i ndërmarrjeve të huaja në vend shënoi rënie.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT-it, numri i ndërmarrjeve me 100% kapital të huaj ishte 4934 në vitin 2022, me një rënie prej 6.1% ose 316 ndërmarrje të mbyllura që janë larguar nga vendi. Pesha e ndërmarrjeve 100% të huaja ndaj totalit ra në 2.4% në vitin 2022, nga 2.9% më 2021-shin.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se numri i kompanive të mbylluara është më i lartë nga Kosova (-37), Greqia (-19), Zvicra (-7) si dhe shtete të tjera, me 438 sipërmarrje më pak, ku përfshihet dhe Mbretëria e Bashkuar, pasi nuk është më pjesë e Bashkimit Europian.

Italia është vendi që kryeson për numrin e ndërmarrjeve që shtetasit e saj hapin në Shqipëri, me 44% të totalit, me rritje 4% me bazë vjetore ose 2171 subjekte. Ndërmarrjet nga Italia janë përgjithësisht të vogla dhe në sektorin e shërbimeve e fason. Në vend të dytë janë sipërmarjet nga Kosova, me 356 ose 7.2% e totalit.

Numri i tyre ra me gati 10% në vitin 2022. Deri në vitin 2021, investimet e huaja u udhëhoqën nga punime të mëdha si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet e Devollit e Ashtës, të cilat tërhoqën dhe kompani të tjera që ishin nënkontraktore.

Në vitet 2022-2023, ato u “zëvendësuan” nga flukset e larta të blerjeve të pasurive të paluajtshme nga të huajt, që nuk kërkojnë hapje kompanish, çka do të sillte dhe hapje të vendeve të punës e rritje të vlerës së shtuar në vend.

Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitet e fundit, investimet e huaja po udhëhiqen nga Holanda. Kjo tendencë lidhet më shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.

Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të botës për shmangien e tatimit të dyfishtë, por edhe sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani.

Sipas INSTAT-it, në vitin 2022, numri i kompanive me pronësi 100% të huaj nga Holanda arriti në 65, me një rritje prej 22% me bazë vjetore. Në vitin 2022 u shënua dhe një rritje e lartë e ndërmarrjeve nga Serbia, me 64%, ndonëse numri i tyre mbetet i vogël, në 23 subjekte. Në total, në vend në fund të vitit 2022 kishte 6955 ndërmarrje të huaja e të përbashkëta, 75% e të cilave janë 100% me kapital të huaj.

Në raport me një vit më parë, totali i ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta ra me 0.7%, si rrjedhojë e tkurrjes së ndërmarrjeve 100% të huaja me 6%, ndërsa ato me kapital të përbashkët u rritën me 19%, duke arritur në 1655.

Ndërmarrjet e huaja në vend

Sipas raportit të INSTAT-it, në vitin 2022 ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta zënë 3,2% të njësive ligjore aktive që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në vitin 2022, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Bashkimit Europian zunë mesatarisht 62,7% të ndërmarrjeve të huaja e të përbashkëta, ndërsa shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësuan 10,3 % të këtyre ndërmarrjeve.

Në ekonominë shqiptare, ndërmarrjet e huaja e të përbashkëta nga shtetet e Bashkimit Europian janë mbizotëruese në aktivitetet: Shërbime të tjera (26,2%), Tregti (13,0%) dhe Industri (10,0%).

Gjatë vitit 2022, ndërmarrjet nga vendet e BE-së me 1-9 të punësuar mbuluan 83,8% të të gjitha ndërmarrjeve të BE-së, ndërsa ndërmarrjet me 250+ të punësuar mbuluan 1,3%.

Në vitin 2022, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë realizuar 18,9% të punësimit gjithsej dhe 19,8% të shitjeve neto.

Vendet e BE-së përfaqësojnë pjesën më të madhe të punësimit në ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta. Në vitin 2022 këto vende kanë zënë 73,9% të punësimit gjithsej.

Përqindja më e lartë e të punësuarve në ndërmarrjet me pronësi të huaj dhe të përbashkët për vitin 2022 ishte në sektorin e Industrisë përpunuese me 35,5%.

Për treguesin e shitjeve, përqindja më e lartë e ndërmarrjeve me pronësi të huaj dhe të përbashkët për vitin 2022 është në sektorin e Tregtisë me 26,7%.

Në sektorin e Industrisë nxjerrëse, pjesa më e madhe e shitjeve neto realizohet nga ndërmarrjet e zotëruara nga grupi i Shteteve të tjera (91,5%) ku Kina është vendi dominues me 77,1%. Në sektorët e tjerë, pjesa më e madhe e shitjeve neto u realizua nga vendet e BE-së; Industri përpunuese (53,5%), Energji Elektrike & Ujë (70,7%), Ndërtim (60,3%), Tregti (52,6%), Akomodim & Restorante (44,4%), Transport & Komunikacion (62,0%) dhe Shërbime të tjera (75,9%).

Në grupin e vendeve të BE-së, Italia dominon në sektorin e Industrisë përpunuese (32,8%), Ndërtim (27,5%), Tregti (21,9%), Shërbimet të tjera (36,5%)./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65790 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE