Përfitimi i subvencioneve direkte, si kryhen aplikimet në grup të fermerëve!

vovalbania April 01, 2024 0 koment 7 Mund të lexoni në minuta.
Përfitimi i subvencioneve direkte, si kryhen aplikimet në grup të fermerëve!

Prej 27 marsit vijojnë aplikimet për fermerët që do të mbështeten me subvencione direkte. Me skemën kombëtare të bujqësisë, sivjet  zbatohen 8 masa mbështetëse. Përfitues mund të jenë fermerët individualë, grupet e fermerëve, personat fizikë, personat juridikë dhe SHBB-ja. Për 2024-ën, risia është forma e aplikimit të fermerëve në grup.

Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi “Për kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, i cili përcakton detyrimin si për fermerët individualë dhe kur aplikon si “grup fermerësh” duhet të jetë i pajisur me NIPT.

Në rastin kur fermeri individual është pjesë e aplikimit si “grup fermerësh”, duhet të jetë i pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv. Kur fermeri aplikon si pjesë e një “grupi fermerësh”, nuk mund të aplikojë edhe si fermer individual apo edhe në grupe të tjera fermerësh, për të njëjtën masë mbështetëse.

Sipas udhëzimit “grupi i fermerëve” mund të krijohet nga fermerë individualë, persona fizikë dhe/ose juridikë dhe numri minimal i anëtarëve nuk duhet të jetë më i vogël se 7 fermerë. Përjashtimisht për masën mbështetëse nr. 4, grupi i fermerëve përbëhet nga jo më pak se 4 anëtarë. Në rastin kur një apo më shumë anëtarë të “Grupit të fermerëve”, pas kontrollit administrativ të dokumentacionit apo verifikimit në terren, rezulton se nuk përmbushin kriteret e përfitimit të masës përkatëse, nuk përfitojnë mbështetje as anëtarët e tjerë të grupit.

Ndër të tjera, udhëzimi përcakton se për masat mbështetëse nr. 1–7, përfituesi të këtë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore”. Faturat për masat mbështetëse në përputhje me kriteret përkatëse, duhet të jenë të lëshuara gjatë periudhës 2023–2024. Financimi i shumës së përfituar bëhet në bankat e nivelit të dytë.

Formulari i aplikimit përmban rubrikën për llogarinë bankare të përfituesit, e cila plotësohet që në momentin e aplikimit. I gjithë dokumentacioni i kërkuar të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri;

Të gjithë aplikantët me status fermer ose person fizik/juridik që kryejnë aktivitet për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, para përfitimit duhet të plotësojnë/përditësojnë Regjistrin e Fermës. Kriteret e përcaktuara në pikat më sipër, vërtetohen nga ndërveprimi me regjistra të tjerë elektronik në formën e aplikimit dhe në sistemin elektronik ku trajtohen aplikimet.

Aplikimi do të jetë on-line do të bëhet nga aplikanti në portalin e-Albania. Aplikimet përfundojnë më 19 Prill.

Masat mbështetëse:

Masa 1 Pagesa në vlerën deri në 10 000 (dhjetë mijë) lekë/krerë lopë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant me jo më pak se 10 (dhjetë) krerë.

Masa 2 Për pjesën mbi 50 (pesëdhjetë) krerë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB)”.

Pagesa në vlerën deri në 1 200 (njëmijë e dyqind) lekë/krerë për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermer/aplikant me jo më pak se 100 (njëqind) krerë dele dhe/ose dhi. Për pjesën mbi 300 (treqind) krerë masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.

Masa 3 Mbarështim i bletarisë në vlerën deri në 1 000 (një mijë) lekë për zgjua, për fermer/aplikant me jo më pak se 50 (pesëdhjetë) zgjoje. Për pjesën mbi 150 (njëqind e pesëdhjetë) zgjoje, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”

Masa 4 Pagesa në vlerën deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermer/aplikant me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha. Për sipërfaqen mbi 5 (pesë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.

Masa 5 Pagesë për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike në vlerën deri në 30 000 (tridhjetë mijë) lekë/ha, për fermer/aplikant me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha. Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.

Masa 6 Fermat organike për periudhën në kalim, vitin e parë, në vlerën 100 000 (njëqind mijë) lekë, në vitin e dytë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë, vitin e tretë 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë dhe 200 000 (dyqind mijë) lekë për fermë të certifikuar.

Masa 7 Implementimi dhe certifikimi global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore: i. por jo më shumë se 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për certifikim individual; ii. por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 10 (dhjetë) fermerë të përfshirë; iii. por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 (tridhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 20 (njëzet) fermerë të përfshirë.

Masa 8 Mbështetje për naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi.

Aplikimi për mbështetje për naftën për bujqësinë

Çdo subjekt që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, duhet të bëjë aplikimin online, duke plotësuar të dhënat nëpërmjet vetëdeklarimit dhe duke ngarkuar në sistem dokumentacionin e kërkuar.

2. Formulari i aplikimit online nëpërmjet e-Albania plotësohet nga aplikanti mbi bazë vetëdeklarimi, në lidhje me: a) parcelat që kultivohen gjatë vitit (mbjelljet e para); b) kulturat e mbjella apo që do të mbillen në ato parcela gjatë vitit (mbjelljet e para)

Deklarimi i mbjelljeve nga aplikanti bëhet si vijon: Fermeri do të deklarojë sipërfaqet e mbjelljeve të para të kulturave bujqësore, që përfshin mbjelljet në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës (1 tetor 2023 deri më 31 maj 2024). Sipërfaqja e deklaruar përfshin vetëm mbjelljet e para dhe llogaritet e kultivuar vetëm një herë. Deklarimi i mbjelljeve nga aplikanti, bëhet si vijon: a) Për perimet e serrës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet që ka të mbjella me perime serre në momentin e aplikimit dhe/ose sipërfaqet që do të mbjellë deri më 31 maj 2024. b) Për drufrutorët, fermeri do të deklarojë sipërfaqen ekzistuese të mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së aplikimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri më 31 maj, 2024, me kusht që sipërfaqet e reja të mos jenë zëvendësime të sipërfaqeve të deklaruara të mbjella me të njëjtat bimë ose me bimë të tjera. c) Për kulturat në fushë të hapur, për bimët njëvjeçare të arave dhe perimet e fushës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet: (i.) me bimët e arave të mbjella në vjeshtën 2023 (fakt në momentin e aplikimit) dhe/ose që do të mbillen deri më 31 maj 2024; (ii.) me perimet e fushës që ka mbjellë (fakt në momentin e aplikimit) ose që do të mbjellë deri në 31 maj 2024. Në rastin e bimëve bashkëshoqëruese, sipërfaqja do të deklarohet vetëm një herë, vetëm për bimën kryesore.

Për bimët foragjere shumëvjeçare dhe bimët aromatike-mjekësore, fermeri do të deklarojë sipërfaqen e mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri 31 maj 2024, me kushtet e përcaktuara në pikën “b” për drufrutorët. Kulturat bujqësore/grup-kulturat që mbështeten nga skema e naftës për bujqësinë përcaktohen në aneksin 6.

Gjatë aplikimit online, çdo dokument i kërkuar, sipas këtij udhëzimi, do të skanohet dhe ngarkohet në mënyrë elektronike nga aplikuesi, me përjashtim të dokumentit/dokumenteve që ofrohen automatikisht nga portali e-Albania).

Dokumentacioni i kërkuar për t’u ngarkuar online, sipas këtij udhëzimi, duhet të jetë në origjinal ose i noterizuar, si dhe të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj, të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.

Dokumentacioni i pronësisë së tokës (certifikata) i ngarkuar në sistem do të konsiderohet i vlefshëm nëse gjatë kontrollit administrativ konfirmohet nga ASHK-ja. Në rastin kur në sistem ngarkohet AMPT-ja do të konsiderohet e vlefshme nëse gjatë kontrollit administrativ konfirmohet nga ASHK-ja ose njësitë e vetëqeverisjes vendore (NJVV). Të vlefshme konsiderohen edhe konfirmimet për dokumentacionin e pronësisë (certifikatë ose AMTP), të bëra në aplikimet për naftën për bujqësinë në vitin 2021, 2022 dhe/ose 2023./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65253 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE