Shqipëria, 15 vjet në NATO/Mesazhet e drejtuesve të vendit e politikës!

vovalbania April 01, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Shqipëria, 15 vjet në NATO/Mesazhet e drejtuesve të vendit e politikës!

Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në NATO. Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot një mesazh për 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Begaj thekson se anëtarësimi në NATO realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar dhe është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Data e 1 Prillit të vitit 2009 jetësoi vizionin Euroatlantik të shqiptarëve për të qenë pjesë e Aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme të kohës sonë. Ky anëtarësim realizoi aspiratën e kahershme të popullit shqiptar, duke e kthyer atë te përkatësia e vet perëndimore, e mishëruar që në filozofinë e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, si strateg i aleancës së parë politiko-ushtarake me Perëndimin. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ndër datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Kryetari i Shtetit shpreh mirënjohje ndaj popullit shqiptar, SHBA-ve dhe aleatëve, të cilët mundësuan realizimin e këtij anëtarësimi.

Shqipëria në këto 15 vite në NATO ka sjellë më shumë siguri për vendin, rajonin dhe hapësirën Euroatlantike. Krenar për efektivët e Forcave tona të Armatosura, si dhe vajzat e djemtë shqiptarë në misionet paqeruajtëse dhe operacionet e NATO-s, si: Afganistan, Irak, Bosnjë, Kosovë, Bullgari, Letoni dhe Deti Egje. Shqipëria do të vijojë të jetë e palëkundur që, së bashku me aleatët, të mbrojë lirinë e të kontribuojë për një botë në paqe.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani reagoi lidhur me 15 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në një postim në platformën “X”, Hasani thekson:

Pesëmbëdhjetë vjet në NATO është një rrugëtim angazhimi, solidariteti dhe mbrojtjeje kolektive. Shqipëria mbetet një kontribues i përkushtuar i NATO-s, duke qëndruar me krenari krah aleatëve të saj, për të mbështetur paqen dhe vlerat tona të përbashkëta.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha kujton sot 15-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO:

15 vite më parë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, një arritje që bëri krenar çdo shqiptar. Për mua ka qenë nder i veçantë të shërbeja si ministër i Punëve të Jashtme në këtë moment historik.

Basha ndan një pjesë të mesazhit të mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit të protokolleve të anëtarësimit në Këshillin e Atlantikut të Veriut, para përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të NATO-s:

Rrallëherë, një komb që luftonte për lirinë e tij, ka rrugëtuar kaq i vetmuar në horizontet e historisë, për kaq gjatë. Izolimi, i imponuar apo i vetëshkaktuar, shënjoi historinë e kombit tim. Eshtë saga e një udhëtimi të pashoq drejt ëndrrës europiane. Luftuam shumë dhe vuajtëm shumë. Por e ardhmja lind përmes sakrificës.

Në muzg të luftës tonë për liri ne farkëtuam aspiratën tonë kombëtare për të rrugëtuar sërish krah për krah me popujt e lirë të familjes euroatlantike. Ndaj sot me nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit, shqiptarët festojnë domethënien e këtij momenti jetik në historinë tonë kombëtare. Kurrë më nuk do të jemi të vetmuar në kauzën e mbrojtjes së lirive tona.

Ne do të rrugëtojmë dhe ngrihemi së bashku me ju, kurrë më të ndarë nga tirania apo shtypja por të njësuar rreth vlerave të përbashkëta të dashurisë për lirinë, respektit për dinjitetin njerëzor dhe shanseve të barabarta para ligjit. Këto vlera të paçmueshme, këto të vërteta të padiskutueshme përbëjnë kolonat e identitetit tonë të përbashkët, janë çfarë na bashkon e na bën më të fortë, janë vetë arsyet për të cilat luftojmë dhe vendosim në altarin e sakrificës sublime jetët e bijve dhe bijave tona në uniformë, sa herë këto vlera kërcënohen.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65722 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE