Debitorët e energjisë, OSHEE me skema të reja lehtësuese/Detajet!
Të gjithë ata që kanë detyrime të prapambetura të energjisë elektrike qoftë biznese, familjarë apo institucione do të kenë në dispozicion skema të reja lehtësuese për të paguar. OSHEE Group dha sot detajet mbi këtë vendim.
Sipas kompanisë, gjatë vitit 2024, do të aplikohen aktmarrëveshjet për shlyerjen me këste të faturave të energjisë, të papaguara deri në 31 dhjetor 2022, duke siguruar që klientët të marrin mbështetjen e nevojshme për prapambetjet në pagesat e kohërave të vështira (gjatë dhe pas pandemisë).
Këta klientë duhet të kenë mbyllur ndërkohë detyrimet e krijuara gjatë vitit 2023 dhe në vazhdim, të cilat duhet të jenë likuiduar përpara lidhjes së aktmarrëveshjes së shlyerjes së debisë mes klientit dhe kompanisë OSHEE për periudhat e hershme.
Në skemat e aktmarrëveshjeve, që do të zbatohen gjatë këtij viti, do të përfshihen gjithashtu edhe detyrimet e papaguara nga faturat; dëmi ekonomik, fatura sistemuese, fatura testim matësi, fatura korrektive, që i përkasin vitit 2023 e në vijim.
Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikqyrës i OSHEE Group në datë 15 shkurt 2024, pas shqyrtimit të propozimit nga administratori i OSHEE Group, zoti Enea Karakaçi.
Secila kategori përfituesish ka lehtësime të ndryshme, të cilat përshkallëzohen në varësi të kategorisë së klientit dhe masës së mbartur të debisë që ka secili prej tyre.
Masat lehtësuese janë gjithashtu të ndryshme, duke filluar nga: këstet fikse mujore për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për klientët familjar, falje ose lehtësim i kamatëvonesave në varësi të periudhës së shlyerjes dhe skema e kësteve të ndryshueshme, në varësi të masës së detyrimit për kategorinë e klientëve buxhetor dhe jo buxhetor.
Më konkretisht, përfitimet për secilën kategori klientësh janë si më poshtë:
Klientët familjarë që trajtohen me ndihmë ekonomike, pensionistët-kryefamiljarë, ose klientët me status të veçantë, mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 1,200 lekë.
Klientët e tjerë familjarë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste fikse mujore 2,800 lekë.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë mund të paguajnë detyrimet e prapambetura me këste të përcaktuara në bazë të vlerës së debisë si më poshtë:
Vlera e detyrimit
Numri maksimal i kësteve
100,000-300,000 lekë
24 këste
300,001-500,000 lekë
48 këste
500,001-800,000 lekë
60 këste
800,001-1,000,000 lekë
84 këste
mbi 1,000,000 lekë
120 këste
OSHEE Group miratoi po ashtu skemën e reduktimit të kamatëvonesës kundrejt likuidimit të plotë të debisë së prapambetur deri në 31 dhjetor 2022. Klientët, që shprehin vullnetin t’i likuidojnë njëherësh të gjitha detyrimet e prapambetura me 1 (një) këst, përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masa të ndryshme, sipas kategorive më poshtë:Klientët familjarë të të gjitha llojeve përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 70%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
Klientët jo familjarë, buxhetorë dhe jo buxhetorë përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 50%, në rast të shlyerjes së gjithë detyrimit njëherësh.
Kategoria klientë jo familjarë – biznes i vogël përfitojnë reduktim të kamatëvonesës në masën 100%, në rast të shlyerjes së tgjithë detyrimit njëherësh.