Mandati i Olta Xhaçkës, të hënën mblidhet Këshilli i Mandateve!

vovalbania April 03, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Mandati i Olta Xhaçkës, të hënën mblidhet Këshilli i Mandateve!

Të hënën e ardhshme, më 8 prill do të mblidhet Këshilli Mandateve dhe Rregullores e aty pritet të diskutohet për mandatin e Olta Xhaçkës. Kështu deklaroi kryeparlamentarja Lindita Nikolla duke folur sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve pasi kryetari i grupit demokrat, Gazment Bardhi i kërkoi llogari për këtë çështje. Bardhi hodhi akuza se maxhoranca po bllokon vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi-Nikollës: Të kujtoj se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, përbën një vepër penale. Në shkelje të Kushtetutës, ju si kryeparlamentare dhe si maxhorancë, po refuzoni që të zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni nxjerrë justifikime absurde që nga janari i vitit të kaluar e deri më sot.

Kjo praktikë e Gjykatës Kushtetuese, është një praktikë e njohur, por ju bëni sikur nuk e kuptoni dhe e zvarrisni. Doni ta ktheni edhe një herë te Këshilli i Mandateve teksa vendimet e këtij Këshilli kanë qenë subjekt i shqyrtimit në Kushtetuese.

Nikolla: Të hënën do të mbledhim Këshillin e Mandateve për këtë çështje, për të vijuar procedurën.

Bardhi: Procedura thote se çështje do të duhet të vijë në Kuvend. Por, ju kerkoni që ta zvarrisni…

Ndërkaq, pas përgjigjes së kryeministrit Rama për interpelancën e kërkuar nga Gazment Bardhi, ky i fundit reagoi në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, sërish duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla:

Rama s’ka tagër ligjor dhe kushtetues të vendosë arsyet dhe temat e thirrjes në interpeleancë, ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë.

Ndërkaq, në rendin e ditës së Konferencës së Kryetarëve të mbledhur në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, sot diskutohet edhe ngritja e një komisioni parlamentar për Dezinformimin e Ndërhyrjet e Huaja në vendin tonë.  Një ditë më parë, kryetari i grupit socialist, Bledi Çuçi tha se ky komision do të drejtohet nga një personalitet brenda Partisë Socialiste, por nuk ia përmendi emrin.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu mëson se në krye të këtij komisioni pritet të propozohet ish-zv.kryeministri Erion Braçe ose ish-kryeministri Pandeli Majko. Në pikën e dytë të diskutimeve në punimet e Konferencës së Kryetarëve do të shqyrtohen emrat e tyre.

Kujtojmë se PS-ja depozitoi në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Parlamentar që synon të ndalojë ndërhyrjet e Rusisë në proceset demokratike të Bashkimit Europian dhe vendeve aleate, ku bën pjesë Shqipëria.

Komisioni do të jetë i përbërë nga 13 anëtarë, ndërkohë që drejtimi i tij do të bëhet nga socialistët. Sipas propozimit të PS-së, fillimisht, komisioni do të ketë mandat 1-vjeçar, por që mund të zgjatet nëse do të vlerësohet e nevojshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65817 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE