Apeli i GJKKO-së nuk pranon revokimin e “Arrestit me burg” për Ramazan Rrajën!
Kërkoi revokimin e masës “Arrest me burg”, Apeli i GJKKO-së “rrëzon” Ramazan Rrajën. Vendimi u mor sot ndërsa Rraja u arrestua në prill të vitit 2023 pas një kohe të gjatë në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në Durrës, në vitin 2019. Në alternativë të lirimit nga qelia kërkonte “Arrest shtëpie” ose “Detyrim për paraqitje”.
Njoftimi zyrtar:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 05.04.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 68 akti, datë 27.03.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues R.Rr., ndaj vendimit nr. 57, datë 07.02.2024 të gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: “Revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, caktuar ndaj personit nën hetim Ramazan Rraja me vendimin nr. 308 akti, datë 21.07.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ose në alternativë zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ose “Arrestit në shtëpi”, dhe vendosi:
Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari R.Rr. nëpërmjet mbrojtësit të tij av. Elton Hyseni, ndaj disponimit nr. 57 akti, datë 07.02.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Ramazan Rraja u arrestua në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa ishte me pistoletë në brez dhe fishek në fole gati për qitje. 30-vjeçari, njeri i njohur i botës së krimit, nip i ish-deputetit të PS-së, Rrahman Rrajës, ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja e Rrumit të Shijakut.
SPAK-u pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij Redjan Rraja, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm, si dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatin ndaj prokurorit Arian Ndoja më 1 nëntor 2019. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, si dhe u plagosën Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” e ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja.