Komisioni hetimor për ndërhyrjet në TIMS/ Salianji miraton kërkesën, Gjylameti “nxjerr” Berishën nga shtëpia për disa orë
Nga arresti i shtëpisë prej 31 Dhjetorit 2023 Sali Berisha, mund të realizojë daljen e parë nga kjo masë shtrënguese, për disa orë falë një propozimi që vjen nga socialistët.
Top Channel disponon planin paraprak të hetimeve të komisionit hetimor për ndërhyrjet e pretenduara në sistemin TIMS.
Në listën e dëshmitarëve me kërkesë të anëtares socialiste Blerina Gjylameti kërkohet të dëshmojë krahas 33 dëshmitarëve edhe Sali Berisha. Kjo kërkesë është aprovuar nga kryetari i këtij komisioni Ervin Salianji.
Vlen për t’u parë se çfarë përgjigje do të marrë ky komision hetimor nga SPAK, organ i cili e ka nën hetim zotin Berisha dhe duhet të japë lejen në mënyrë që ish-kryeministrit t’i merret dëshmia e kërkuar.
Në fakt nuk mungojnë precedentët siç ishte rasti i ish-deputetit Mark Frroku në arrest shtëpie, por me kërkesë të parlamentit, prokuroria i dha leje të paraqitej në këshillin e mandateve, teksa po shqyrtohej kërkesa për arrestimin e tij.
Ligjvënësja socialiste Blerina Gjylameti kërkon të dëshmoj edhe Lulzim Basha. Ndryshe nga komisioni hetimor për vetëm dy nga katër koncesionit në shëndetësi, komisioni hetimor për TIM është duke avancuar, gjë të cilën e tregon edhe plani paraprak i hetimeve.
Synohet shqyrtimi i çështjeve lidhur me kontrollin e veprimtarisë së institucioneve të ngarkuara me mbrojtjen e sistemit TIMS, përfshirë vlerësimi i nevojës për marrjen e masave administrative apo, ndërhyrjet ligjore në legjislacionin përkatës.
Përmes këtij komisioni hetimor drejtuar nga demokrati Ervin Salianji do të kalojnë në skaner kontrolli i veprimeve a mosveprimeve të organeve dhe funksionarëve publik të ngarkuar me administrimin, mbrojtjen dhe sigurinë e bazës së të dhënave të sistemit TIMS.
“Ndër ngjarjet më të rënda që kërkoi vëmendjen dhe ndërhyrjen urgjente të Parlamentit mbeten ndërhyrjet e paligjshme në sistemin TIMS, për të cilat Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri një kallëzim penal ndaj Forcës Operacionale.
Kjo çështje mori edhe vëmendjen e të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës Amerikanë në Tiranë, Z. Martin McDowell, i cili gjatë një takimi me ministrin e Brendshëm, shprehu shqetësimin e SHBA-ve në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit dhe kërkoi një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm, duke theksuar rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. Ndërhyrja në sistemin TIMS, përveçse çështjes së mbrojtjes të të dhënave personale, ngre edhe problematikën e rendit dhe sigurisë në vend, pasi këto të dhëna mund të bien në duart e elementëve kriminalë”, thuhet në planin e hetimit të komisionit hetimor të përgatitur nga kryetari i Komisionit Ervin Salianji.
Në të njëjtën kohë synohet verifikimi i shkeljeve ligjore të kryera dhe pasojave që kanë pasur këto shkelje për sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve shqiptar dhe të huaj.
Komisioni Hetimor përveç marrjes së informacioneve zyrtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi, do të përdorë të gjitha metodat e hetimit të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përfshirë këqyrjen, kontrollin apo sekuestrimin e akteve pranë institucioneve përgjegjëse.
Si dëshmitarë për çështjen TIMS mes 33 personave të listuar janë edhe kryeministri Edi Rama, ministri i brendshëm Taulant Balla, ish ministri Bledi Çuçi, drejtori aktual i policisë së shtetit bashkë me dy paraardhësit e tij përfshi shefen e inteligjencës shqiptare Vlora Hyseni dhe paraardhësin e saj Oljan Kanushi. Nënkryetarit këtij Komisioni Hetimor Toni Gogu kërkon të dëshmojë edhe Gazment Bardhi.