Sot më 7 Prill kujtohet datëlindja e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela!
Sot më 7 prill kujtohet datëlindja e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela! Me zërin e saj të papërsëritshëm, artistja e njohur për më shumë se 40 vjet krijoi mitin e së përgjithmonshmes, duke hyrë në zemrën e çdo shqiptari brenda e jashtë Atdheut. Këngëtarja ikonë e skenës shqiptare, zëri befasues i forcës dhe virtuozitetit, fuqia vokale e një talenti magjepsës, mishëruan tek ajo pavdekësinë. Ishte dhe mbetet e papërsëritshme.
Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.
Fituese 12 herë e festivalit, ajo fitoi famë gjatë epokës komuniste dhe iu dha titulli Artist i Merituar në vitin 1973 dhe Artist i Popullit në vitin 1977. Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992. Ajo ishte e martuar me Pjetër Rodiqin dhe së bashku ata kanë vajzën Irma. Që nga viti 2002 Zela ka jetuar me burrin e saj në Bazel të Zvicrës, për të marrë kujdes më të mirë shëndetësor.
U shpall “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor.”
Dhjetë vite më parë, në orën 01:00 të mëngjesit të datës 6 shkurt 2014, u shua në një spital në Basel të Zvicrës, pas një sëmundjeje të gjatë.